Nga Lutfi Dervishi
Në vend të lajmeve, ekrani i News24 sot shfaq vetëm shiritat vertikalë me ngjyra prove: të bardhë, të verdhë, blu të çelët, jeshile, rozë, të kuqe, blu të errët dhe të zezë në të dy anët. Kjo pamje, që dikur tregonte mungesën e sinjalit televiziv, sot është simbol i heshtjes së imponuar.
Policia ka rrethuar godinën e News24 në orët e para të mëngjesit dhe ka bllokuar punën e gazetarëve të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Në mungesë të informacionit zyrtar për këtë ngjarje të pazakontë, ka më shumë pyetje se përgjigje:
Kush ka dhënë urdhrin për rrethimin e godinës së News24?
Cili ishte motivi zyrtar për ndërprerjen e sinjalit të transmetimit?
Pse nuk u dha asnjë paralajmërim para ndërhyrjes? A janë ndjekur procedurat ligjore për një veprim të tillë ndaj një medie?
A ka vendim gjykate? Cilat janë provat ose arsyet që justifikojnë këtë veprim ekstrem?
Nëse është çështje kontrate (qiraje), a i është dhënë koha e nevojshme medias për të gjetur ambiente të tjera?
A ka pasur komunikim paraprak? Kush mban përgjegjësi për pengimin e gazetarëve në vendin e punës?
A është marrë parasysh dëmi i menjëhershëm që i shkaktohet publikut, duke e privuar nga informacioni?
Si garantohen të drejtat kushtetuese për informim dhe liri shtypi kur policia ndalon gazetarët të ushtrojnë detyrën?
Kur mbyllet një media, nuk humb vetëm ajo — humbet e drejta jote për t’u informuar. Sot është News24, nesër mund të jetë zëri yt. Heshtja nuk është neutralitet, është zgjedhje.