Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, Shkambi qëlloi me armë zjarri ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja, si dhe ndaj Rakip dhe Ervis Kurtajt, 65 dhe 45 vjeç, baba e bir, të cilët ishin pala tjetër në procesin për çështjen e pronësisë.
Si pasojë e të shtënave, gjyqtari Kalaja humbi jetën në vend, ndërsa dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, pasi morën ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Motivet e krimit
Burime nga Policia bëjnë me dije se Elvis Shkëmbi ka deklaruar në Komisariatin Nr. 1:
“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia. Po më binin në qafë.”
Nga dëshmia e tij, duket se motivi i krimit lidhet me pakënaqësinë ndaj vendimit të gjykatës në procesin e pronësisë, që dyshohet se nuk ishte në favor të tij.
Pas ngjarjes, Shkëmbi është vetëdorëzuar në polici, por para se të largohej nga godina e gjykatës, i ka dorëzuar armën e krimit një punonjësi të sigurisë. Fillimisht u raportua se arma ishte braktisur në tokë, por më pas u konfirmua se autori e kishte vendosur në xhupin e punonjësit të sigurisë. Ky i fundit tashmë po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e dorëzimit të armës dhe përse nuk u bë kontrolli i menjëhershëm.
Detaje për autorin dhe çështjen e pronësisë
Elvis Shkëmbi është djali i Gjon Shkëmbit, një qytetar nga Shkodra i njohur për pretendimet e tij mbi pronësinë e ish-shkollës së rezervave në këtë qytet.
Në deklarata të mëparshme për media, Gjon Shkëmbi ka pohuar se është pronari ligjor i godinës ku prej vitit 1992 janë vendosur 31 familje, duke theksuar se i zotëron dokumentet e rregullta të pronësisë të fituara përmes proceseve gjyqësore. Çështja për të cilën gjykohej i biri lidhej pikërisht me këtë pronë, për të cilën Gjykata e Apelit kishte dhënë vendim në ditën e ngjarjes.
Reagimi i Policisë
Policia e Tiranës njoftoi se ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, si dhe sekuestrimin e armës së krimit. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar mënyrën se si Shkambi arriti të fuste armën në ambientet e gjykatës, pavarësisht kontrolleve të sigurisë.
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit është një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura ndonjëherë në sistemin gjyqësor shqiptar. Ajo ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë në institucionet e drejtësisë dhe masat parandaluese ndaj akteve të dhunës.
Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa trupi i gjyqtarit Kalaja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekspertizë.