Autoritetet në Elbasan kanë dhënë detaje të reja lidhur me konfliktin që çoi në vrasjen e biznesmenit Edmond Mondi Mehalla, duke vendosur në qendër të hetimeve 35-vjeçarin Oklid El Ouejdi.
El Ouejdi, i njohur në qytet me nofkat “Kiço” ose “Oliver”, dhe nip i një personazhi të njohur në botën e krimit si “Timi i Elbasanit”, dyshohet se ka organizuar dhe financuar atentatin ndaj Mëhallës.
Sipas Policisë së Shtetit, konflikti mes dy palëve kishte nisur për shkak të një marrëveshjeje tregtare të papërfunduar me vlerë rreth 700 mijë euro. Rreth dhjetë ditë para vrasjes, Edmond Mehalla kishte ushtruar dhunë fizike ndaj El Ouejdit në ambientet e një karburanti të quajtur “Xhaxhi Oil”.
Burime hetimore bëjnë me dije se, për të shmangur detyrimin financiar, El Ouejdi kishte ofruar si kompensim katër apartamente në Tiranë, por me probleme pronësie, çka ka rritur më tej tensionet mes palëve.
Dhjetë ditë pas përplasjes fizike, Edmond “Mondi” Mehalla u qëllua për vdekje me tre plumba në një atentat të dyshuar si i kryer në mënyrë profesionale. Pas krimit, autorët dyshohet se dogjën automjetin tip “Audi” të përdorur për largim.
Viktima, i njohur në qytet me nofkën “Hyka”, thuhet se ishte mik i ngushtë i një personazhi të njohur si “Kei Piu”.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar deri më tani tre persona:
Nevzat “Nevi” Spaho, i dyshuar si drejtuesi i mjetit që ndihmoi autorët të largoheshin;
Kujtim Pisha, punonjës karburanti, i arrestuar për moskallëzim dhe mosdhënie informacioni;
Xhino Ago, ortak i Mëhallës, i dyshuar për mosndryshimin e pronësisë së automjetit të përdorur në krim.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve të drejtpërdrejtë dhe dokumentimin e gjithë zinxhirit të përfshirë në atentat.

