Nga Hasan Bello
Politika antifetare e PPSh-së u shtri edhe në fushën e etnonimeve. Mbishtresat e emrave në gjuhën shqipe pasqyronin sundimin romak, bizantin, sllav dhe atë osman, që përputheshin me fetë kryesore monotoiste.
Në vitin 1963 në shtyp filloi një debat lidhur me përdorimin dhe vendosjen e emrave ku prioritet iu dha atyre me preardhje ilire. Por pas 6 shkurtit 1967, u shkrua dhe u fol shumë për luftën që i duhej bërë përdorimit të emrave të huaj, veçanërisht atyre me ngjyrim fetarë. Për t`i ardhur në ndihmë evitimit të përdorimit të këtyre emrave, zyrave të gjendjeve civile në shkallë vendi iu shpërnda një listë me 1000 emra që rekomandoheshin t`u viheshin të porsalindurve dhe, më vonë, kjo listë u zgjerua dhe mori trajtën e një fjalori me 5000 emra.
Një akt i tillë kishte si qëllim të prishte traditën e krijuar deri në këtë periudhë, sipas së cilës, shumicës së fëmijëve shqiptarë, u vendoseshin emra me kuptim fetarë (mysliman, ortodoks, katolik).
Kulmin e absurditetit kjo politikë e arriti me dekretin nr.5339 të 23 shtatorit 1975, ku urdhërohej që të gjithë qytetarët, emrat e të cilëve, nuk përputheshin me normat politike, ideologjike dhe morale të shtetit, duhet t`i ndërronin.
Disa mendonin se dekreti në fjalë kishte si synim pakicat greke apo sllave. Por manuali zyrtar, që rendiste si të ndaluar emrat Ismail, Musa, Haxhi, sikurse emrat Pjetër, Gjon, Nikoll, Rebeka etj., dëshmoi se dekreti kishte si pikësynim, në radhë të parë, emrat myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, që e kishin origjinën nga këto besime. Kjo i detyroi shumë prindër t`u vinin fëmijëve nga dy emra, një tradicional me preardhje fetare, për përdorim shtëpiak, dhe një tjetër të përshtatshëm për shkollë.
Një luftë e tillë gjeti shprehje edhe në fushën e toponomisë sipas të cilit, duhej bërë ndryshimi i emrave gjeografikë me preardhje fetare, p.sh fshati Shënkoll mori emrin Ylli i kuq etj. Këto masa krijuan një lloj hutimi dhe konfuzioni tek besimtarët, duke e minimizuar rezistencën fetare antikomuniste.