Nga Agim Morina
“Grupi i Preshevës”, i vendosun përkohësisht në zyrat e “Grupit të Prishtinës”, po thotë që “Grupi i Tiranës” po don me na prishë me “Grupin e Uashingtonit” dhe po kërkon ndërhymjen e shërbimeve të sigurisë. Sidoqoftë “Grupi i Ulqinit” po hesht dhe veç po merr pozita në hierarkinë politike dhe akademike të Kosovës.
“Grupi i Tiranës”, – gjithnjë sipas “Grupit të Preshevës” – po vazhdon me shkru fjalime për deputetët me çmim të volitshëm, sidomos tash pas përcaktimit të koeficientit të pagave.
“Grupi i Shkupit” po ban seri, sepse ende nuk ka vendosë cilit grup me u bashku, megjithëse e urren ma shumë se dreqin e zi “Grupin e Tetovës”.
“Grupi i Prizrenit” po vazhdon me mësu shqip, për me mujtë me u marrë vesh me grupet e tjera.
“Grupi i Podujevës” po përpiqet me u shkri në “Grupin e Prishtinës” për mos me u dukë shumë katundar, por pinjollët e pinjollëve nuk po tregojnë kurrfarë mirëkuptimi dhe as Këshilli i Sigurimit të OKB-së s’po arrin me gjetë zgjidhje.
“Grupi i Shkodrës” nuk po ka kohë me u marrë me grupet e tjera sepse janë duke u vra mes vete. “Grupi i Vlorës” po pret nga “Grupi i Beratit” konfirmimin që “Grupi i Gjirokastrës” asht pajtu me u taku me “Grupin e Vlorës”.
“Grupi i Lazaratit” nuk ka asnjë problem me asnjë grup.