Kur Giorgia Meloni u zgjodh kryeministre e Italisë në tetor 2022, liberalët e Europës u frikësuan, SHKRUAN The Economist.

Partia e saj, Vëllezërit e Italisë, i ka rrënjët te neofashizmi i pasluftës dhe fushata elektorale premtoi shtypjen e emigracionit të paligjshëm, duke ndjekur një politikë të rreptë të djathtë.

Tashmë, një vit më vonë, kemi parë se zonja pragmatike Meloni nuk ka qenë ajo forca përçarëse që mendonin disa. Për rrjedhojë, centristët në Francën fqinje janë shqetësuar se kjo gjë mund të ndihmojë Marine Le Pen.

Zgjedhjet presidenciale në Francë janë ende shumë larg. Ato nuk parashikohen të mbahen deri në vitin 2027. Por zonja Le Pen ka arritur tashmë dy herë në garën përfundimtare presidenciale, duke u mundur të dyja herët nga Emmanuel Macron.

Kushtetuta nuk e lejon Macron të kandidojë për një mandat të tretë. Nga zgjedhjet e vitit 2017, në ato të vitit 2022, numri i votave për zonjën Le Pen u rrit nga 34%, në 41%. Në Francë, ku presidenti gëzon pushtet të qendërzuar, mundësia e një fitoreje të Le Pen, ngre shqetësim të veçantë.

Zonja Meloni dhe zonja Le Pen nuk kanë të përbashkët vetëm pikëpamjet e djathta politike. Ashtu si zonja Meloni, edhe Le Pen është përpjekur të veçojë partinë nga e shkuara e saj e trazuar.

Tashmë partia është quajtur Tubimi Kombëtar (RN), duke lënë pas emrin e vjetër Fronti Kombëtar.

Në rrethin e saj, qarkullojnë ende emra polemikë. Por zonja Le Pen ka ngritur në detyrë individët më të respektuar të partisë, si Jordan Bardella, një deputet 28-vjeçar i cili tani gëzon një post të rëndësishëm në parti.

Ajo gjithashtu ka hequr dorë nga qëndrimet e skajshme euroskeptike, duke përfshirë një premtim të kaluar për ta nxjerrë Francën nga Eurozona, i cili nuk ishte popullor mes votuesve.

Zonja Le Pen ka punuar shumë edhe për të normalizuar partinë. Deputetët e saj seriozë, të veshur me kostume, nuk e ngrenë zërin nëpër debate aq sa anëtarët e bllokut tjetër kryesor të opozitës parlamentare, NUPES, një aleancë e krahut të majtë.

Partia dëshiron të tregojë se nuk është aty për të sharë dhe për të përçarë, por është e gatshme të qeverisë. Ky ka qenë edhe synimi i zonjës Meloni, përpara se të vinte në pushtet.

Arsyeja kryesore se pse zonja Le Pen është një kërcënim shumë më i madh ka të bëjë me gjeopolitikën. Zonja Meloni nuk ka miqësi me Vladimir Putinin e Rusisë. Ndërsa partia e zonjës Le Pen, mori një hua prej 9 milionë eurosh nga një bankë e lidhur me Kremlinin (këtë shumë parash më vonë e ktheu).

Gjatë fushatës presidenciale në vitin 2022, zonja Le Pen publikoi një foto të saj me Putinin dhe më pas e hoqi, pasi tanket ruse marshuan në Ukrainë. Edhe pse Le Pen e ka dënuar pushtimin e Ukrainës, në një seancë parlamentare në maj të këtij viti, ajo e mbrojti referendumin e mbajtur në Krime, pasi Rusia e aneksoi territorin në vitin 2014.

Për më tepër, zonja Meloni ka qenë një mbështetëse e fortë e NATO-s dhe e armatosjes së Ukrainës. Ndërsa zonja Le Pen, jo vetëm që dëshiron ta nxjerrë Francën nga komanda e integruar ushtarake e NATO-s, por ka qenë edhe kundër zgjerimit të aleancës me Suedinë dhe Finlandën, aq më pak Ukrainën.

Ajo mendon se “paranoja ruse” për NATO-n në kufi duhet “të merret parasysh”, duke mbështetur kështu qëndrimin e Moskës dhe nga ana tjetër, nuk ka qenë dakord që Franca t’i dërgonte Ukrainës artileri të rënda. Në të kundërt, një zyrtar i partisë së Melonit tha me pakënaqësi se kryeministrja ishte “shumë atlantiste”.

Deri tani, Meloni ka luajtur sipas rregullave të BE-së, por zonja Le Pen ende dëshiron t’i rrëzojë ato. Plani i saj është të tërheqë mbështetjen e qeverive të tjera europiane me të njëjtin mendim (si Hungaria dhe Sllovakia), për ta shndërruar BE-në nga brenda në një “aleancë kombesh”.

Ajo dëshiron të mbajë një referendum për të ndryshuar Kushtetutën franceze në mënyrë që të forcojë “epërsinë” e saj mbi ligjin e BE-së. Dhe është zotuar të pakësojë kontributin e Francës në buxhetin e BE-së.

Jean-Philippe Tanguy, deputet i partisë RN i cili ndihmoi në drejtimin e fushatës presidenciale të zonjës Le Pen, thotë se nëse të tjerët nuk bashkëpunojnë, “ne do t’i detyrojmë të veprojnë, për shembull duke mos pranuar të paguajmë kontributin e Francës”.

Veprime të tilla do ta përçanin keq BE-në.

Sidoqoftë, këto janë thjesht biseda. Nëse një president mund të arrijë të miratojë ndryshime të tilla, është një çështje krejt tjetër. Edhe nëse zonja Le Pen do të zgjidhej presidente, partia e saj nuk do të siguronte dot një shumicë parlamentare.

Dhe në Francë, çdo ndryshim kushtetues duhet të miratohet ose me referendum, ose me një shumicë prej tre të pestat në një seancë të përbashkët të të dy dhomave.

Parlamenti gjithashtu duhet të miratojë çdo emërim në Këshillin Kushtetues.

Një tregues i dallimit midis zonjës Le Pen dhe zonjës Meloni, është fakti se aleati i vërtetë i zonjës Le Pen në Itali, nuk është kryeministrja, por Matteo Salvini, anëtari më populist i koalicionit qeverisës të Italisë. Më 17 shtator, zonja Le Pen ishte një e ftuar nderi në takimin vjetor të partisë së tij në Lombardi.

Duke nisur atje fushatën e partisë për zgjedhjet e qershorit të ardhshëm për Parlamentin Europian, Le Pen u zotua “ta kthejë Europën në vendin që i takon”.

Sondazhet tregojnë se partia e Le Pen do të mposhtte centristët e Macron-it.

Mund të ndodhë që, ndërsa zonja Meloni përballet me vështirësi të brendshme, veçanërisht për sa i përket menaxhimit ekonomik, kjo do të ndikojë edhe te zonja Le Pen. Në lidhje me emigracionin, argumenton Dominique Reynié, kreu i Institutit kërkimor Fondapol,

“Meloni ka treguar pafuqinë e populistëve”. Numri i emigrantëve që mbërrijnë në Itali është rritur në mandatin e saj. Sidoqoftë, tani për tani, zonja Meloni po tregon se e djathta populiste është në gjendje të drejtojë një shtet të madh europian. Dhe kaq mjafton për t’i frikësuar politikanët centristë të Francës.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *