Nga Islam Lauka
Sot, në një nga emisionet e mëngjesit të “Top Channel”-it, drejtuesi i emisionit, jo pa u krekosur, përdori termin “Populli i Big Brother”-it, për të treguar se sa shumë ndiqet kjo shfaqje televizive.
Që ndiqet masivisht nga shqiptarët nuk ka asnje diskutim. Pyetja që shtrohet është: Përse?
Mos vallë për shkak të vlerave artistike? Përkundrazi, aty gjen me bollëk gjëra të rëndomta por asnjë gjurmë arti e kulture.
Mos vallë, për shkak të përmbajtjes, pra të temave të mëdha që trajton? Përkundrazi, temat meskine (mbijetesa, nëpërmjet pasurimit të shpejtë, me çdo kusht e çmim) mbizotërojnë fillim e mbarim në këtë shfaqje.
Atëherë, mbase, për shkak të vlerave morale apo modelit të mirë që ofron për shoqërinë? Përkundrazi, parimi bazë i saj është lejimi i gjithçkaje, pa skrupuj. Organizatorët dhe drejtuesja e emisionit ngazëllehen, kur pas këmbënguljes së tyre të gjatë zbulojnë “kiminë” midis çifteve pjesëmarrëse, pavarësisht se bëhet fjalë jo për kimi, por veç për aritmetikë (llogari), në funksion të interesave egoiste.
Në gjykimin tim, përgjigja e kesaj pyetjeje gjendet në vet realitetin shqiptar. Për njerëzit shpresëhumbur, “Big Brother” shërben si narkotik, ashtu siç shërbejnë për disa të tjerë, alkooli, bixhozi e “qetësues” të tjerë, për të mbytur brengat, mjerimin e trishtimin, qoftë edhe për një moment.
Ajo që shqetëson është: A janë të vetëdijshëm shqiptarët se, veç një dozë të vogël të lehtësimit momental, ashtu si çdo drogë tjetër edhe “Big Brother” ofron helm në doza të tilla që dëmton seriozisht, jo vetëm organizmin e çdo individi, por edhe atë të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi?