Organizata mjedisore PPNEA ka reaguar ndaj raportimeve mediatike mbi vizitën e Jared Kushnerit dhe Ivanka Trumpit në Vlorë, duke theksuar se publiku nuk po informohet plotësisht mbi qëllimin e vërtetë të saj.

Sipas PPNEA-së, vizita nuk ka lidhje me investimin në ishullin e Sazanit, siç është raportuar gjerësisht, por me planet për ndërtimin e një qyteti të ri brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë–Nartë. Organizata apelon që media të informojë mbi interesin publik dhe të mos fshehë projekte që mund të kërcënojnë trashëgiminë natyrore të vendit.

PPNEA paralajmëron se një nga zonat më të veçanta dhe të paprekura të Shqipërisë, pranë Lagunës së Nartës, po përgatitet të betonizohet dhe të shndërrohet në një kompleks urban masiv, të ngjashëm me Golemin, i lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pa përfitime reale për vendin.

Organizata shton se rreth 14 kilometra vijë bregdetare e egër, pjesë e zonës së mbrojtur dhe e rëndësishme për biodiversitetin, mund të transformohet në rrugë, ndriçim artificial dhe ndërtime luksoze, duke cenuar natyrën dhe komunitetet lokale.

PPNEA lidhet këto zhvillime me ndryshimet e fundit ligjore për zonat e mbrojtura, të kërkuara nga Komisioni Evropian si kusht për mbylljen e kapitullit të mjedisit në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Megjithatë, organizata shpreh shqetësim për heshtjen e Bashkimit Evropian për këtë çështje, duke e cilësuar si një sulm të planifikuar ndaj zonave të mbrojtura.

PPNEA bën thirrje ndaj institucioneve, mediave dhe opinionit publik që të mbrojnë pasuritë natyrore të vendit nga projekte që rrezikojnë mjedisin dhe interesin afatgjatë të Shqipërisë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *