Nga Sebastian Zonja
Gazetari gjerman Filipp Piatov ka botuar një artikull në revistën “Bild” ku sjell në vëmendje akuzat e ish-kryeministrit britanik Boris Johnson se gjermanët, me nisjen e luftës në Ukrainë, ishin të mendimit se një humbje nga ukrainasit do të ishte më e mirë se një betejë e gjatë mbrojtëse kundër Rusisë.
Ky artikull në këtë revistë të rëndësishme gjermane, sikundër edhe akuza e fortë e Johnsonit, na sjell në vëmendje një lojë të koklavitur evropiane sa i përket fushëbetejës në Ukrainë.
Gjermanët dhe francezët nuk ishin kundër vetëmbrojtjes së Ukrainës, por ata kërkonin të ndërtonin bisedime mbi marrëveshjet e Minskut. Edhe Rusia ngjante se ishte dakord me këto bisedime përpara se të fillonte lufta teksa rusët kishin pozicionuar shumë trupa në kufi me Ukrainën. Gjithçka ndryshoi sa hap e mbyll sytë kur Boris Johnsoni mbërriti në Kiev dhe pati bisedime kokë më kokë me homologun ukrainas Zelensky. Gjermanët dhe francezët, edhe pse me pak mëdyshje, ndoqën pas anglo-amerikanët në këtë luftë.
Te libri i tij për Rendin Botëror, diplomati amerikan H. Kissinger shkruan se frika anglo-amerikane është një Evropë e dominuar nga gjermanët.
Sot vërejmë se gjermanët kanë ndërmarrë edhe hapa politikë në kontinent, nëse më parë këtë domein e kishin francezët. Vetë vizita e presidentit gjerman Steinmeier në vendin tonë, në dhjetor, tregon për një përmasë tjetër të angazhimit gjerman në Lindje dhe Ballkan.
Në këtë vizitë të rëndësishme të presidentit gjerman, me aq sa bëhet me dije nga axhenda, ai nuk do të takojë asnjërën prej palëve opozitare, duke lënë të nënkuptohet se opozitarizmi shqiptar e ka futur veten në qorrsokak duke e çuar tagrin e përfaqësimit në gjykatë.
Vlen të theksohet se kërkesa e Kurtit për të shkuar direkt te amerikanët për të kërkuar zgjidhje të problemit të njohjes, tregon se sa problematike është sot Evropa së brendshmi, me Francën dhe Gjermaninë që shtyhen dhe Britaninë që ka frikë nga fuqizimi gjerman.
Sido që të jenë problemet që ka së brendshmi Evropa, shqiptarët kanë një aks që nuk i ka cënuar për dekada interesat e tyre, dhe ai është Ankara – Berlin – Washington.