Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka marrë një ftesë zyrtare nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën, si anëtare themeluese.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ajo ka publikuar edhe letrën e dërguar nga Trump. Presidentja shprehet e nderuar për këtë ftesë dhe thekson se Kosova qëndron e gatshme dhe e përkushtuar për të kontribuar në ndërtimin e paqes.
Në mesazhin e saj, Osmani nënvizon se Republika e Kosovës është një aleate e palëkundur e SHBA-së dhe se kjo ftesë dëshmon partneritetin e fortë mes dy vendeve.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, por e ndërton atë. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur për ta çuar paqen më tej. Ne jemi gati”, shkruan Osmani.

