Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Izraelit, duke deklaruar se çdo tentativë për të ndryshuar Marrëveshjen e Shkëputjes së vitit 1974 ose për të promovuar alternativa të tjera do të rrezikonte rëndë sigurinë rajonale dhe “do ta kthente zonën në një vend të pasigurt me pasoja të paparashikueshme”. Deklaratat u bënë gjatë Forumit të Dohas 2025, raporton Anadolu.
Al-Sharaa theksoi se Izraeli po përpiqet të “eksportojë krizat” jashtë kufijve, duke shmangur përgjegjësinë për masakrat që po vazhdojnë në Gaza. Ai akuzoi autoritetet izraelite se përdorin sigurinë si justifikim për çdo veprim të tyre, ndërsa Siria, sipas tij, ka dërguar vazhdimisht mesazhe konstruktive për të mbështetur stabilitetin në rajon.
Presidenti nënvizoi se Damasku kërkon respektim të plotë të marrëveshjes së vitit 1974, e cila përcakton vijën e armëpushimit në Lartësitë e Golanit. Ai shtroi pyetje të forta rreth propozimit për një zonë të çmilitarizuar, duke vënë në dyshim se kush do ta siguronte atë zonë nëse ushtria siriane përjashtohet.
“Si mund të garantohet siguria në një zonë ku Siria është ajo që rrezikohet më së shumti nga sulmet izraelite? Kush ka më shumë të drejtë të kërkojë garanci sigurie nëse jo pala e sulmuar?”, deklaroi al-Sharaa.
Ai theksoi se çdo marrëveshje e re duhet të marrë parasysh interesat kombëtare të Sirisë dhe të mos cenojë balancën e krijuar nga marrëveshja e vitit 1974.

