Bizneset po përballen prej disa ditësh me vështirësi të mëdha në përdorimin e platformës së fiskalizimit dhe shërbimeve self care përmes e-Albania, duke penguar aktivitetin e tyre normal.
Sipas raportimeve të Monitor, shumë procese online nuk mund të kryhen, duke shkaktuar jo vetëm humbje kohe, por edhe kosto financiare, pasi sistemi i fiskalizimit shpesh nuk funksionon.
“Kjo ka qenë një nga javët më të ngarkuara. Kam punuar më shumë si call center se sa në punë produktive, sepse sistemet e fiskalizimit shpesh nuk funksionojnë”, thotë Julian Saraçi, ekspert fiskal. Ai shton se problemet teknike duhet trajtuar seriozisht, pasi po paralizojnë aktivitetin e biznesit dhe punën e profesionistëve.
Praktikisht, kjo ka sjellë pengesa të mëdha: fatura që nuk lëshohen, rakordime të pambëra, procedura të bllokuara dhe afate që rrezikohen. Saraçi jep disa shembuj: klientët nuk mund të lëshojnë fatura për nisjen e mallrave, nuk mund të përgatiten pasqyrat financiare për tendera, dhe disa nuk fiskalizojnë dot doganat brenda afateve ligjore. Ai shton se profesionistët janë të lodhur dhe disa nuk mund të përmbushin detyrimet e tyre për shkak të mungesës së funksionalitetit të sistemit.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përgjegjëse për e-Albania, nuk ka pranuar zyrtarisht problemet e sistemit dhe nuk ka dhënë njoftime për të sqaruar bizneset.
Saraçi sugjeron se është e nevojshme një qasje e strukturuar për zgjidhje: afatshkurtër për emergjencën, afatmesëm si fazë tranzitore dhe afatgjatë për një sistem të qëndrueshëm. Ai thekson se përgjegjësia ligjore duhet të shkojë paralel me mundësinë reale për veprim dhe është i gatshëm të kontribuojë për përmirësimin e situatës.
Kjo situatë ndodh edhe pse qeveria ka rritur ndjeshëm investimet në e-qeverisje. Në vitin 2025, buxheti për e-qeverisjen u trefishua, duke arritur në 20.1 miliardë lekë, nga 3.3 miliardë lekë në vitin 2019, me një total prej 48.4 miliardë lekësh (rreth 500 milion euro) gjatë katër viteve të fundit.

