Enver Hoxha: “Nuk e shihni ju se kjo që bën Italia është një luftë e drejtë, sepse lufton kapitalizmin ndërkombëtar!”

Të nesërmen e ditës që kishim nisur letrën e Mid’hat Frashërit tek anglezët, pra me 13 mars 1940, në kafe “Kursal” kishim shkuar 10-15 studentë të pinim nga një gotë birrë, ashtu fshehtas, sepse ishim tepër të rinj.

Aty erdhi Enver Hoxha, i cili në atë kohë kishte mbetur pa punë dhe shiste duhan në një qoshe te Pusi i Elizit.

Ne i thoshim zoti Profesor, edhe pse s’ishte profesor. Talati e kishte të afër, sepse edhe ky ishte nga Gjirokastra. Nuk iu durua dhe i tha Enver Hoxhës: “More zoti Profesor, sikur të merremi ne vesh me anglezët dhe t’u biem italianëve nga të dy anët dhe të çlirohet njëherësh Shqipëria? Të bëjmë një Vlorë të dytë?!”

Enver Hoxha iu përgjigj:

“Lëre, more, mos u merrni ju me ato gjëra! S’i kuptoni ju ato gjëra!

Nuk e shihni ju se këtë që bënë Italia është një luftë e drejtë, sepse lufton kapitalizmin ndërkombëtar!”

Aty ai përdori një gjuhë tamam komuniste. Enver Hoxha të gjitha këto i thoshte me vrazhdësi. Dikur shtoi:

“Mos harroni se të gjitha këto janë aprovuar nga xha Stalua!” 

Stalinit ia thoshte emrin në atë mënyren gjirokastrite. Na fliste disi në mënyrë naprane, sikur ai të gjitha i dinte dhe ne ishim çiliminj. Këtë nuk e harroj kurrë.

Dhe e përsëriste Telati gjatë gjithë kohës, derisa vdiq në Amerikë para 4-5 vjetësh.

SHAIP BEQIRI, “LUAN GASHI: DËSHMI AUTENTIKE TË HISTORISË SHQIPTARE” , ZËRI, 1993.

P.S.

“Deri në qershor të vitit 1941 komunistët ishin profashistë.

Kjo ndodhte kështu për arsye se Stalini kishte lidhur aleancë dhe miqësi me Hitlerin, kurse Hitleri me Musolinin.

Komunistët gjatë dy vjetëve të parë të luftës, nuk bënë kurrfarë rezistence kundër okupatorit, sepse thoshnin se Italia po bënë luftë kundër kapitalizmit botërorë!”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *