Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se projekti franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është paraqitur në zyrën e tij nga zyrtarët e BE-së dhe se ai në parim e ka pranuar këtë propozim. Kurti shtoi se gjatë takimit me të dërguarit e BE-së, ai ka paraqitur sugjerimet e tij për këtë projekt, i cili sipas kryeministrit të Kosovës është refuzuar nga Serbia pas një mbledhje të këshillit të sigurisë në Beograd. “Më 9 shtator patën ardhë këtu në zyrën time përfaqësues të Bashkimit Evropian, pra ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë, ua kam thënë atyre vërejtjet e kritikat e mija por nuk e kam refuzuar. Pas mbledhjes së këshillit të sigurisë në Beograd, në mënyrë unanime e kanë refuzuar, ky refuzim po synon të shndërrohet në pasiguri në Kosovë por ne nuk mund të lejojmë destabilizimin e Kosovës.” – theksoi Kurti.