Nga Hasan Bello

Për të studiuar situatën politike, ekonomike dhe sociale në periferi, shteti osman herë pas here dërgonte inspektorë të ndryshëm. Kjo kishte si qëllim përftimin e informacioneve të pavarura nga administrata lokale, e cila për arsye subjektive mund ta pasqyronte atë sipas këndvështrimit dhe interesave të saj. Në fakt kjo nuk është një praktikë e panjohur edhe për perandoritë europiane, që për të monitoruar situatën krijonin mekanizma kontrolli. Rezultat i këtyre inspektimeve janë një sërë raportesh me interes për historianët dhe studiuesit.

Kështu, sipas një raporti që një inspektor i dërgonte Këshillit të Ministrave në vitin 1879 lidhur me gjendjen e arsimit në disa vilajete të Perandorisë Osmane, i propozonte ndër të tjera që në vilajetin e Bagdatit, Sirisë dhe Kosovës të themelohej nga një Fakultet Drejtësie dhe një Arsimi. Kjo do t`i vinte në ndihmë administratës lokale, e cila kishte nevojë për nënpunës. Por nga ana tjetër, në këto fakultete, do të arsimoheshin edhe juristë të kualifikuar, për të cilët sistemi gjyqësor osman kishte nevojë emergjente. 

Një situatë e tillë vinte për shkak se në fund të shek. XIX-të në ato provinca të perandorisë ku kishte popullsi të konfensioneve të ndryshme, ishin krijuar gjykatat e përziera. Kështu nëse trupi gjykues përbëhej nga tre veta, njëri prej tyre duhej patjetër të ishte i krishterë. 

Ky propozim nuk u mor në konsideratë nga qeveria osmane. Megjithatë, ai përbën një hap të rëndësishëm në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aq më tepër që ai është bërë dy vite para se të themelohej Fakulteti i Drejtësisë në Stamboll në vitin 1880.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *