Protestat e shpeshta në Serbi kohët e fundit duket se e kanë lëkundur pozitën e presidentit të vendit, Aleksandër Vuçiç.
Ky i fundit deklaroi se nuk është diktator, siç portretizohet nga disa media.
Vuçiç shtoi se nuk e ka në planet e tij rikandidimin për postin e presidentit vitin e ardhshëm, kur i mbaron edhe mandati aktual.
Protestat e fundit në Serbi sollën përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe atyre të partisë në pushtet, të drejtuar nga Vuçiç. Më intensive këto përplasje ishin në Novi Sad.
Aleksandër Vuçiç mban postin e presidentit të Serbisë që nga viti 2017, ndërsa para kësaj detyre ishte për tre vjet kryeministër i vendit.
Vuçiç u përpoq të frenonte valën e protestave pas tragjedisë së Novi Sadit duke kryer ndryshime të vazhdueshme në kabinetin qeveritar, por këto masa nuk e kanë ulur pakënaqësinë e serbëve ndaj tij.