Trazirat e fundit në Serbi kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat raportojnë se vendi po përballet me një krizë të thellë politike dhe sociale. Pamje nga Novi Sadi dhe Beogradi u transmetuan në edicionet kryesore të lajmeve në ARD, ndërsa gazeta dhe portale të shumta gjermane publikuan analiza dhe raporte mbi përshkallëzimin e situatës.

Nga protesta paqësore në përplasje të dhunshme

Sipas gazetarit Andrej Ivanji në Tagesspiegel, nëntë muaj protesta të udhëhequra nga studentët kundër regjimit të Presidentit Aleksandar Vuçiq ishin kryesisht paqësore, derisa të martën shpërthyen përplasjet e para serioze. Konfliktet nisën në qytete të vogla në Vojvodinë, si Vrbas dhe Baçka Palanka, për t’u zgjeruar më pas në qendra të mëdha si Beogradi, Novi Sadi, Nish, Krushevaci dhe Pançevo. Ministria e Brendshme raportoi rreth 70 të plagosur vetëm në ditën e dytë të protestave.

Ivanji thekson se njësitë speciale të policisë nuk kanë pasur kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar situatën. Në vend të tyre, në skenë janë shfaqur simpatizantët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të cilët, sipas mediave kritike, përbëhen shpesh nga individë me të kaluar kriminale. Këta mbështetës, të përshkruar si persona “me qafa të trasha, shpatulla të gjera dhe të maskuar”, janë akuzuar se përdorin dhunë për të shtypur kundërshtarët politikë.

Vuçiq si lider partie, jo presidenti i të gjithë qytetarëve

Në kulmin e protestave, Vuçiq u shfaq në selinë e SNS-së në Beograd, ku inkurajoi anëtarët e partisë që të përballeshin me demonstruesit. Ky veprim u interpretua si një pozicionim i hapur politik dhe jo shtetëror. Gazetari Milan Qulibrk e komentoi këtë si shenjë se “Serbia nuk ka më president”, por një lider partie që ka zgjedhur krah në një moment krize.

Studentët e përshkruajnë këtë qasje si një hap që e shtyn vendin drejt luftës civile. Në komunikatat e tyre, ata akuzojnë Vuçiqin se, në vend të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, po i kundërvihet popullit përmes mobilizimit të strukturave partiake.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *