Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po zhvillojnë sot një protestë në kryeqytet, për të kërkuar të drejtën e dhënies së provimeve në gjuhën shqipe.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”, Besar Sejdiu, ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë qytetare ndaj një aksioni paqësor, i cili do të nisë në orën 12:30 nga Ura e Gurit.
Studentët kërkojnë që të respektohet e drejta e tyre ligjore dhe kushtetuese për të dhënë provimet e jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila, sipas tyre, ende nuk zbatohet në praktikë.
Sejdiu ka theksuar se moszbatimi i kësaj të drejte po krijon pengesa serioze për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve shqiptarë. Ai e ka cilësuar këtë çështje si një kauzë më të gjerë, që lidhet me barazinë dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve.
Organizatorët e protestës kanë bërë të ditur se aksioni do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe adresimin e kërkesave tek institucionet përkatëse.

