Shkupi ishte sot qendra e një tubimi të madh protestues në solidaritet me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë. Organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, protesta synon të përcjellë mesazhin e kërkesës për drejtësi dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.
Tubimi nisi në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu”, ku pritet të marrin pjesë mijëra qytetarë nga Shkupi dhe zonat përreth. Protesta ka marrë mbështetje publike edhe nga figura të njohura politike shqiptare në rajon.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje qytetare, duke theksuar se protesta synon të kundërshtojë akuza që, sipas tij, janë të motivuara politikisht dhe të ndërtuara mbi narrativa të fabrikuara. Ai ka nënvizuar se tubimi përfaqëson një akt ndërgjegjeje kolektive në respekt të sakrificës së luftës dhe ruajtjes së së vërtetës historike.
Mbështetje ka shprehur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar se pas tubimeve të mbajtura në Prishtinë dhe Tiranë, edhe Shkupi po i bashkohet thirrjes për drejtësi. Ai ka apeluar për unitet, protestë paqësore dhe dinjitoze, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave kombëtare.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje që ish-luftëtarët të shmangin pjesëmarrjen në protestë, për shkak të rrezikut të mundshëm të ndalimeve nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas përfaqësuesve të OVL-UÇK-së, ekziston mundësia e arrestimeve për shkak të listave të Europolit që, sipas tyre, janë përcjellë nga Serbia.

