Nga Hasan Bello
Për shkak të shpërndarjes së tyre hapsinore në të gjith Gadishullin Ballkanik dhe arsyeve të tjera historike, deri në Kongresin e Berlinit (1878) aspiratat kombëtare të aromunëve (ose vllehëve), nuk kishin të bënin aspak me krijimin e shtetit të tyre. Por ato ishin përqendruar kryesisht për të drejtat e barabarta dhe autonominë kulturore e fetare brenda pjesës europiane të Perandorisë Osmane.
Sipas një studiuesi, fakti që aromunët nuk ishin në gjendje të arrinin shtetësinë, ka ndodhur kryesisht edhe për shkak të hendekut të madh midis klasës intelektuale dhe masës së madhe të aromunëve. Kjo popullsi merrej kryesisht me blegtori dhe nuk bënte një jetë sedimentare.
Në gjysmën e dytë të shek.XIX, me ndërhyrjen e Rumanisë, filloi përhapja e idesë së krijimit të një shteti kombëtar aromun në Maqedoninë osmane. Kjo e fundit përfshinte disa qyteza, fshatra apo rajone malore në vilajetin e Manastirit dhe të Janinës. Një pjesë e tyre janë edhe sot në Shqipërinë Juglindore. Në këtë pozicion, i cili përshinte edhe malet e Pindit ishte e përqendruar kryesisht popullsia vllehe.
Në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek.XX aromunët u ndodhën përballë procesit asimilues të Rumanisë dhe Greqisë, të cilat arritën që të krijonin simpatizantët e vet brenda tyre.
Në këtë periudhë, qeveria rumune kishte të paktën tre projekte për krijimin e një shteti autonom aromun. Kjo duke nisur që nga një konfederatë mes grupeve të ndryshme etnike në Maqedoni deri te krijimi i një shteti shqiptaro-aromun.
Për realizimin e këtij projekti, Bukureshti investoi jashtzakonisht dhe bashkëpunoi me princ Albert Gjikën, i cili e kishte origjinën nga një familje aromune nga Shqipëria e Jugut. Në këtë periudhë, ai do të bëjë përpjekje për t’u vendosur në fronin e shtetit aromuno-shqiptar. Në vitin 1905, projekti për krijimin e një shteti të përbashkët autonom deshtoi për shkak të refuzimit të aromunëve të rumanizuar, të cilët kërkonin autonominë e Maqedonisë dhe një shtet konfederativ, të bazuar në modelin zviceran.
Në vitet e Luftërave Ballkanike 1912-1913, ashtu si shqiptarët edhe vllehët do të bëhen objekt i masakrave dhe spastrimit etnik të shteteve ballkanike. Në Konferencën e Londrës 1913, përfaqësues të këtij komuniteti shprehën dëshirën që të mos përfshiheshin në shtetin grek, por në atë të sapokrijuar shqiptar. Arsyet për këtë dihen.
Përfaqësues të vllehëve do të marin pjesë edhe në Kogresin shqiptar të Triestes (27 shkurt-4 mars 1913), i cili u mblodh me nxitjen e Austro-Hungarisë. Në këtë kongres u nënshkrua një marrëveshje miqësie dhe mbështetje për vllehët që dëshironin të jetonin brenda shtetit shqiptar.
Por, një pjesë e vllehëve të rumanizuar po në 1913 do të mblidhen në Bukuresht dhe do t’i kërkojnë elitës politike shqiptare që si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar të vendosej aromunishtja, e cila, sipas tyre, ishte më e zhvilluar sesa shqipja.
Një fakt tjetër interesant në vitet e LPB është se vllehët e Pindit, ashtu si shqiptarët që krijuan Republikën e Korçës nën okupimin francez, tentuan të krijonin shtetin e tyre. Ata ndryshe nga shqiptarët, përdorën praninë e trupave italiane për të krijuar Republikën autonome të Pindit (korrik-gusht 1917), nën protektoratin italian. Kjo njihej gjithashtu edhe si “Principato del Pindo”.
Por edhe ky projekt dështoi ashtu si Republika e Korçës.
Vllehët që u bënë pjesë e shtetit shqiptar u integruan dhe jetuan normalisht, pa iu nënshtruar asnjë politike diskriminuese siç bënë shtetet ballkanike