Nga Arbër Zaimi
Sepse edhe ekonomia ka marrë formë të tillë. Paraleli i monizmit në ekonomi është monopoli apo karteli. Një grusht biznesesh i kontrollojnë sektorët në formë monopoliste apo si kartel. Dhe i përdorin sektorët që dominojnë jo si asete që duhen zhvilluar për të përparuar në një ekonomi globale apo së paku rajonale, por si çifligje të palëvizshme nga të cilat thjesht vilet fitim (shpesh përmes pastrimit të parave), ndërsa “bujkrobërit”, nëse ikin, s’ka problem se vijnë të tjerë.
Këtyre bizneseve u intereson të vijojnë sa më gjatë të pakonkurruara prej kompanive të jashtme, përveçse nëse ato vijnë si “të ftuara dhe të kapura a të kontrolluara” përmes “partnerëve” vendas. Këtë shmangie të konkurrencës e kanë arritur zakonisht edhe përmes lidhjeve preferenciale me partinë-shtet, edhe përmes krijimit të paqëndrueshmërive të kontrolluara, përmes “bandave” kriminale.
Duke qenë pra se partia e Ramës kontrollon nga një anë punësimin në shtet (punëdhënësi më i madh) dhe nga ana tjetër punësimin në sektorin privat – ku influenca e monopolistëve është e gjerë dhe e thellë pothuaj te çdo biznes i madh e i mesëm, nuk e ka të vështirë të fitojë aq vota sa i duhen.
Jo se nuk mund të thyhet kjo skemë, por kjo ka nevojë për tejkalim të shumë fragmentimeve, kryeneçësive, mërive e protagonizmave nga pjesa e pakapur e shoqërisë (përfshi diasporën) që sidoqoftë është ajo më e madhja. A do të ndodhë? Të shohim – por jetojmë në kohë kur fragmentimet identitare të tipit “be different” nxiten e favorizohen nga gjithë industria mediatike dhe ajo e rrjeteve sociale.