Nga Arbër Zaimi
Disa javë më parë, si rezultat i hetimeve të prokurorëve e pas shumë protestave, duket se u ndal tash për tash projekti për të ndërtuar një “Trump Tower” në Beograd. Ndërtimi luksoz do të kishte qenë investim i një grupi të drejtuar nga dhëndri i Trumpit, Kushneri, e ku përfshiheshin bashkëinvestitorë të njohur të tij, ndër ta edhe Alabbar, Abesehra etj.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, u shfaq tejet i mllefosur nga kjo gjë, shau prokurorët dhe protestuesit, tha se “po bëjnë gjueti shtrigash”, “po trembin investimet e huaja” dhe se tash familjarët e Trumpit do ta kthejnë vëmendjen te projekti i investimit në Shqipëri, i cili është projekt më i dobët, më i parëndësishëm dhe i bërë me nxitim (shkel e shko), por gjithsesi do t´i garantojë favoret e Trumpit Shqipërisë.
Tash, pa dyshuar aspak në sinqeritetin dhe autenticitetin e veprimeve të protestuesve e prokurorëve serbë, është e ditur se Vuçiqi kur dëshiron, i ka mjetet e mënyrat për ta bërë vullnetin e vet realitet – precedentët tregojnë se është autokrat i dëshmuar që s´përton të shkelë mbi gjyqësor e protestues. Këto gjëra madje ai i ka bërë edhe gjatë vitit të fundit. Nuk është krejt pa kuptim të shtrohet pyetja: Pse kësaj radhe Vuçiqi reagoi me mllef, ama jo me kokëfortësinë e zakonshme despotike, duke i hapur de facto udhën ndalimit të projektit?
Do të ishte lehtë të thuhej se Vuçiqi ka zënë mend dhe po i dëgjon protestuesit e po u bindet prokurorëve. Do ishte mirë për Serbinë e për rajonin po të besohej se kjo është thjesht një shenjë e reformimit demokratik të Vuçiqit. Por a mund të besojmë kaq lehtë se na qenka reforumar ky “fëmijë” i Sheshelit, me një CV të mbushur me ekstremizma e shovinizma, me provokime e trasgresione.
Meqenëse nuk është lehtë ta besojmë një gjë të tillë, atëherë pyetjes së më sipërme i duhet gjetur përgjigje tjetër, duke konsideruar rrethanat gjeopolitike me të cilat pritet të përballet vendi i tij dhe rajoni në muajt në vijim.
Çka dihet me siguri është se Serbia e Kosova janë përmendur disa herë nga presidenti amerikan Trump, në kuadrin e një paqeje të arritur me meritën e tij.
Dihet gjithaq se ai mëton të marrë Nobelin për paqe, por sa duket nuk mjaftojnë pretendimet, duhet vërtet të arrihet diku ndonjë marrëveshje paqeje. Ukraina duket ende larg dhe e komplikuar, Gaza gjithashtu për shkak të situatës ende të nderë në raport me Iranin. Kërkohen udhë më “atraktive” drejt Nobelit.
Elementi i tretë që dihet: paparashikueshmëria thuajse absolute e Trumpit, një element i sovranitetit që ka qenë i zakonshëm në kohët e monarkive të pakushtetuara, por që është harruar thuajse në dy shekujt e fundit.
Teksa Vuçiqi ka lobuar dhe lobon intensivisht në qarqet rreth e pranë udhëheqjes amerikane, ai mbase ka vënë re se lobimi i madh i Serbisë së vogël nuk po prodhon parashikueshmëri, ndoshta as shikueshmëri. Gjatë 2025 ai u përpoq që të arrinte rezultate në këtë drejtim duke përshpejtuar proceset për Trump Tower në Beograd, por sado që kjo ngjalli interesimin e familjarëve-diplomatë jo zyrtarë të Trumpit, ndoshta sërish nuk është prodhuar parashikueshmëria e duhur. Këto janë supozime mbi gjëra që nuk i dimë, por si supozime ndoshta na ndihmojnë t´i afrohemi një përgjigje të mundshme të pyetjes së parë.
Duke mos arritur rezultatin e dëshiruar me lobimin dhe me mundësimin e Trump Towerit, Vuçiqi gjendet para situatës ku së shpejti do të mund të thirret bashkë me kryeministrin e Kosovës për të prodhuar “pax trumpica”, të cilën për momentin askush s´e di si duket. Mund të jetë e mirë për njërën nga palët apo për tjetrën, mund të jetë e mirë për të dyja, mund të jetë e keqe për të dyja, askush nuk e di. Para kësaj pasigurie absolute, Vuçiqi ndoshta është këshilluar apo ka menduar se është mirë të fillojë të ndërtojë taktikë.
Nëse hapja udhë (me mllef e pikëllim të madh performativ) ndaj ndaljes tash për tash të projektit Trump Tower në Beograd është veprim i menduar taktikisht, atëherë kjo taktikë mundëson:
- Në rast se procesi apo dokumenti i imponuar nga Trump është i keq për Vuçiqin por nuk i lë Vuçiqit mundësi për të thënë jo, ai e ka një hapësirë që një pjesë të “fajit” ta shkarkojë te protestuesit dhe prokurorët: “E shihni ç´bëtë, me protestat dhe hetimet tuaja naive, dëmtuat interesin kombëtar”.
- Në rast se procesi apo dokumenti i ofruar nga Trump është i keq për Vuçiqin por Vuçiqi gjen hapësirë për të thënë jo, ndoshta i mbështetur nga fuqi europiane që mund të ndihen të lëna jashtë nga ky proces, apo edhe si zakonisht nga Moska e Pekini, atëherë jo-ja e tij do të mund të sjellë pasoja, të cilat ai do të mund t´ia atribuojë pjesërisht edhe ndaljes së projektit investiv: “Unë po marr pasoja të padrejta nga SHBA thjesht sepse nuk pranova të bëhem jodemokratik dhe nuk i shkela prokurorët dhe protestuesit”.
- Në rast se procesi apo dokumenti i ofruar nga Trump është i mirë për Vuçiqin, apo nëse ka hapësirë për t´u përmirësuar sadokudo, atëherë perspektiva për riaktualizimin e investimit në Beograd mund të rikthehet edhe një herë, madje edhe “me dyfishin e kateve”. Në një logjikë puro transaksionale: “Unë ta ofrova, por ti s´më dhe në këmbim atë çka prita, tash ofro ti diçka e unë sërish ta ofroj atë çka të premtova”.
Mund edhe të mos jetë kështu, ka plot shpjegime të tjera të mundshme.

