Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka reaguar për herë të parë lidhur me gjestin e tij gjatë ceremonisë së betimit në Kuvend, konkretisht puthjen me dorë ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, një veprim që ngjalli reagime dhe komente në opinionin publik.

Në një deklaratë, Shabani theksoi se gjesti nuk kishte asnjë prapavijë ironike apo cinike, por ishte një përpjekje për të zbutur një situatë të tensionuar që ishte krijuar gjatë ceremonisë. Sipas tij, puthja me dorë është një nga format që ai përdor zakonisht për të përshëndetur dhe nuk duhet interpretuar ndryshe.

“Ishte një situatë që nuk shkonte. Për ta zbutur, tentova të përshëndes ata që ishin aty. Puthja është një nga format që unë përdor për të përshëndetur, nuk është formë ironike apo cinike”, u shpreh Shabani.

Ai sqaroi gjithashtu se ceremonia e betimit nuk u zhvillua në kushtet që ai kishte kërkuar paraprakisht dhe se situata për të nuk ishte e lehtë. Shabani bëri të ditur se kishte kërkuar që ceremonia të zhvillohej në praninë e të ftuarve dhe se kishte marrë me vete edhe familjarët e tij.

“Ishte një ceremoni betimi që nuk ishte ashtu, jo për fajin tim. Kisha kërkuar të kisha të ftuar dhe kisha marrë familjarët e mi. Shkova për ceremoninë e betimit dhe tentova të mos ndikohesha nga ata përreth”, tha ai.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *