Qemal Draçini lindi në Shkodër më 6 mars të vitit 1922. Kreu studimet në gjimnazin e Shkodrës me rezultate të shkëlqyera. Në moshën 16-vjeçare u dënua me 6 muaj burgim politik si ndjekës i ideve komuniste,por pasi kuptoi natyrën e vërtetët të kësaj ideologjie, u distancua prej saj. Gjatë regjimit fashist u burgos sërish pasi u dallua për shoqërimin me Qemal Stafën dhe Emin Durakun. Gjatë viteve 1941-1943 ndoqi studimet në Firence për juridik. Në vitin 1945 punoi si mësues i letërsisë, ekonomisë politike dhe drejtësisë në Tiranë në institutin “Donika Kastrioti”, më pas punoi në gjimnazin e Shkodrës e më vonë në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Sterjo Spassen. U arrestua në vitin 1946 mbas lëvizjes së Postribës pasi shquhej  si një ndër intelektualët e kohës por edhe pse i kishte braktisur «mëkatet e rinisë». Vdiq në burg nga torturat më 10 tetor 1947. U shpall “Martir i Demokracisë” më 1992-shin. Një pjesë e veprave që Qemal Draçini kishte lënë, u dogjën dhe u asgjësuan nga diktatura dhe ajo çka u shpëtua prej saj nga i vëllai, Enver Draçini, u botua në përmbledhjen “Era” të botuar në vitin 1995 nga Muzeu Historik i Shkodrës. Në vitin 2008 u vlerësua nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës me titullin “Qytetar Nderi”.

Burimi: Muzeu Kombëtar”Shtëpia e Gjetheve”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *