Nga Daut Dauti
Një i afërm i imi, i cili punon taksist këtu në Londër, ma rrëfeu një ndodhi që e kishte shqetësuar tej mase. Taksistët janë “nana e vakive” dhe përjetojnë momente interesante. Një ditë i kishte rastisur që për klientë t’i kishte dy ukrainas, të cilët ishin prezentuar si studentë.
Sapo i kishin ndërruar fjalët përshëndetëse, kishin kaluar në atë fazën se prej nga janë dhe sa kohë kanë që janë në Londër. Fjalët e para të studentëve ukrainasë kishin qenë tejet agresive ndaj Kosovës.
“Flitnin për Kosovën më keq se shovenistët serbë” – më tha i afërmi i imi i habitur me arsenalin e fjalëve antishqiptare që kishin përdorur dy klientët e tij ukrainasë.
“Kosova është Serbi; pavarësia e Kosovës është plan i Perëndimit kundër Serbisë; shqiptarët në Ballkan i ka pru Turqia për planin e saj antisllav; Çka na kë bërë Rusia neve, ju jeni duke ia bërë Serbisë” – kishte qenë qëndrimi i tyre duke e dhënë shembullin që Rusia i ka marrë territore Ukrainës, sidomos Krimenë… e kështu me radhë.
“Flitnin aq keq për Kosovën sa që m’shkoi mendja me nalë kerrin e me t’jav dhanë hakun”. Megjithatë, biseda kishte përfunduar pa dhunë. Por, qëndrimi i këtyre ukrainasve e kishte tronditur pa masë të afërmin tim. Kjo befasi dhe tronditje është për arsye se në opinionin e Kosovës Ukraina është vend mik. Në fakt, ukrainasit e kanë shfaqur qëndrimin gjithëpopullor, shtetëror dhe diplomatik që kanë për Kosovën (lexo: kundër Kosovës).
“Po na po ja mbajmë flamurin Ukrainës 100 metra t’madh në qendër të Prishtinës. Çka është kjo punë kështu? Pse me respektu dikend që të urren?” Dhe një varg pyetjesh tjera që në fakt ishin me vend.
Nuk e kishte të qartë që ne nuk kemi fuqi të prodhojmë reciprocitet dhe se jemi të shtyrë të veprojmë siç na thonë. Pra, ta përkrahim dikënd që nuk të njeh që ti ekziston. Nga kjo neve na mungon edhe dinjiteti. Këto gjëra u mundova t’ia shpjegoj.
“Iu thashë ukrainasve që Rusia juve kurgja s’koka t’u ju ba sa pe lypshi ju”. Mirë ishte shfry ndaj tyre, por pas kësaj ngjarje ky më nuk e kuptonte arsyen e simpatisë ndaj Ukrainës.