Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të marrë vendim për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, si pjesë e një force ndërkombëtare stabilizuese në Gazë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë theksoi se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë në këtë mision ndërkombëtar, duke nënvizuar se Kosova ka përfituar vetë nga prania e forcave ndërkombëtare që nga viti 1999.
Propozimi për dërgimin e FSK-së është arsyetuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka bërë të ditur se pjesëmarrja e FSK-së do të jetë në kuadër të Komandës së Unifikuar të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Sipas tij, misioni ka për qëllim zbatimin e një plani gjithëpërfshirës për stabilizimin e situatës në Gazë dhe për t’i dhënë fund konfliktit në këtë zonë.
Vendimi përfundimtar për dërgimin e trupave të FSK-së pritet të merret nga Kuvendi i Kosovës.

