Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës kanë përfituar shërbime konsulence nga organizata e ish-kryeministrit britanik Toni Bleri dhe nga një tjetër kompani britanike, por dokumentet zyrtare që lidhen me këto kontrata mbeten të fshehta për publikun. Mungesa e transparencës mbi pagesat, kontratat dhe marrëdhëniet ligjore mes palëve ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e fondeve publike dhe lidhjet personale të krerëve të shtetit me figura ndërkombëtare.

Në një konferencë për teknologjinë të zhvilluar në Dubai në shkurt të vitit 2024, kryeministri Edi Rama u shfaq krah për krah me Toni Blerin dhe nuk ngurroi ta quante atë “frymëzimin” e tij politik.

“Unë nuk do të isha as kryeministër dhe as i përfshirë në politikë pa të,” deklaroi Rama para audiencës, duke theksuar ndikimin personal që ka pasur Bleri në rrugëtimin e tij politik.

Por lidhjet mes tyre shkojnë përtej deklaratave publike. Në janar 2024, Instituti Toni Bler për Ndryshim Global hapi një degë zyrtare në Shqipëri dhe nisi të ofrojë konsulencë për qeverinë shqiptare. Kjo degë, e drejtuar nga Dejvid Stivenson, ka të regjistruar tetë punonjës dhe ka deklaruar të ardhura prej 9.1 milionë lekësh për vitin e parë të aktivitetit – rreth 94 mijë euro.

Zyrat e Institutit ndodhen në katin e tretë të godinës “Torre Drin”, por, siç rezulton nga hetimi, ato janë të papopulluara dhe përdoren nga një kompani kontabiliteti që gjithashtu administron dokumentet e Institutit.

Edhe pse është e qartë që institucioni po ofron shërbime konsulence për qeverinë, nuk dihet çfarë konkretisht përmban kontrata, cilat janë objektivat, afatet dhe kostoja reale për taksapaguesit shqiptarë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) rezulton të jetë përfituese e shërbimeve të Institutit, por mohon të ketë nënshkruar kontratë me të.

“Kontrata është me Këshillin e Ministrave dhe AKSHI, si agjenci varësie, përfiton nga ekspertiza e Institutit në fjalë,” tha AKSHI në një përgjigje me shkrim për BIRN.

Megjithatë, Këshilli i Ministrave nuk pranoi të vërë në dispozicion kontratën e kërkuar dhe zyra e shtypit nuk u përgjigj për të sqaruar marrëdhënien zyrtare me Institutin Toni Bler.

Në korrik 2024, kryeministri Rama u mburr publikisht për ndihmën që ky institut po jepte për ristrukturimin e Bashkisë së Tiranës. Por ministri për Qeverisjen Vendore, Arbjan Mazniku, sqaroi për BIRN se nuk bëhej fjalë për Institutin Toni Bler, por për një kompani tjetër britanike: “Delivery Associates”.

E themeluar në vitin 2013 nga Sër Majkëll Barber – një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Toni Blerit – kompania Delivery Associates ka dhënë konsulencë për Bashkinë e Tiranës në formën e një “auditi të brendshëm”. Kryebashkiaku Erion Veliaj e promovoi bashkëpunimin si një proces rishikimi të thelluar të performancës së bashkisë. Megjithatë, as kontrata e bashkëpunimit, as kostoja për qytetarët nuk janë bërë publike.

Sipas Maznikut, raporti i përgatitur nga Delivery Associates është “cilësor” dhe do të përdoret nga bashki të tjera “pa kosto shtesë për qeverinë ose për këto bashki”.

Agjencia për Media dhe Informim nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse ka pasur konfuzion apo lidhje të drejtpërdrejta mes punës së Delivery Associates dhe Institutit Toni Bler. Edhe Bashkia e Tiranës refuzoi të dorëzojë kontratën përkatëse, duke pretenduar se “mungojnë të dhënat e nevojshme për identifikimin e dokumentacionit”. Në një kthesë absurde, bashkia i kërkoi vetë gazetarëve të paraqesin numrin dhe datën e protokollit për të mundësuar gjetjen e kontratës.

As Instituti Toni Bler, as Delivery Associates dhe as drejtoresha për Europën e kësaj të fundit, Ana Sakiqi, nuk pranuan të komentojnë për BIRN mbi marrëdhëniet e tyre me qeverinë apo Bashkinë e Tiranës.

Kjo nuk është hera e parë që Toni Bleri përfshihet në marrëdhënie të errëta konsulence me qeverinë shqiptare. Në vitin 2013, ai ofroi këshilla për qeverinë Rama përmes Tony Blair Associates – një bashkëpunim që zgjati deri më 2016 dhe për të cilin asnjëherë nuk u dhanë sqarime të detajuara mbi përmbajtjen apo koston.

Ndërkohë, studio ligjore e bashkëshortes së tij, Çeri Bler, ka përfituar gjithashtu kontrata nga qeveria shqiptare në të njëjtën periudhë, duke ngritur më tej shqetësimet për konflikt interesi dhe mungesë të thellë transparence në shpenzimet publike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *