Kreu i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori reagoi pas disa lajmeve të publikuara në portale të njohura publikisht si përkrahëse të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj të cilat e paraqisnin atë duke “përshëndetur me simbolin e tre gishtave”.

Qori theksoi se këto fabrikime janë të qëllimshme dhe njëkohësisht tregues i panikut të Erion Veliaj nga denoncimet e LB-së lidhur me aferën e inceneratorëve.

Reagimi i plotë i Qorit:

Sot dy portale që i shërbejnë kokë e këmbë e gjuhë Edi Ramës dhe Erion Veliajt – lexo.al dhe javanews – kanë fabrikuar lajmin se unë kam nderuar me simbolin e shovinizmit serb. Fotoja origjinale është postuar dje nga faqja e Lëvizjes BASHKË dhe tregon bisedën time me një qytetar në hyrje të sheshit Skënderbej. Si çdo njeri normal, edhe unë përdor gishtat për të numëruar problemet dhe në foto kam arritur te problemi i tretë.

Çdo njeri me sy në ballë dhe mend në kokë e kupton kollaj të vërtetën.

Ky fabrikim tregon dy të vërteta:

  1. Erion Veliaj dhe Edi Rama ia kanë frikën Lëvizjes BASHKË.
  2. Në pamundësi për të gjetur qoftë edhe cenin më të vogël në karakterin dhe veprimtarinë tonë, detyrohen të manipulojnë në mënyrën më të trashë të mundshme.

I shqetësuar duket veçanërisht Erion Veliaj, të cilit dje Byroja Kombëtare e Hetimit i ka hyrë në bashki për t’i sekuestruar materiale që mund të tregojnë atë që e dinë të gjithë: ai është strumbullari i skandalit korruptiv të inceneratorit të Tiranës.

Si përfaqësues i Lëvizjes BASHKË, zotohem se nuk do të heqim dorë asnjë çast nga përpjekja për të organizuar qytetarët kundër korrupsionit dhe të korruptuarve. Për ne, vendi i Erion Veliajt, Edi Ramës dhe qehajajve të tyre është në qelitë e ftohta me dyshek përtokë të burgjeve shqiptare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *