Arlind Qori dhe Adriatik Lapaj reaguan pas ftesës që Sali Berisha u bëri partive të vogla për të marrë pjesë në protestën e radhës të Partisë Demokratike.
Përmes një video-mesazhi, Qori refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen, duke theksuar se Lëvizja Bashkë nuk do të angazhohet në protesta të organizuara nga ajo që ai e përshkroi si pjesë e sistemit të vjetër politik. Ai shtoi se fokus i Lëvizjes Bashkë mbetet ndërtimi i një alternative të re politike, jashtë strukturave të njohura të qeverisjes së deritanishme.
Ndërkaq, Adriatik Lapaj nuk dha një përgjigje përfundimtare, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me PD-në në këtë aksion protestues. Qëndrimi i tij më i rezervuar tregon një pozicion mëdyshjeje dhe pritet të sqarojë vendimin e tij në ditët në vijim.

