Arlind Qori i vijoi akuzat ndaj qeverisë pas publikimit të reportazhit në RAI 3 ku hidhen hije të forta dyshimi për lidhjet e dyshimta të ekzekutivit shqiptar me botën e krimit të organizuar.
Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë” shkruan se tashmë nami korruptiv dhe perceptimi si organizatë mafioze për qeverinë e Edi Ramës kanë kaluar kufijtë shqiptarë.
Sipas tij, cilësimi i qeverisë shqiptare si partnere me botën e nëntokës mafioze është një dëm shumë i madh për imazhin e vendit.
Statusi i Arlind Qorit
PSE NA TRONDITI EMISIONI I RAI 3?
Emisioni Report i transmetuar dy ditë më parë në kanalin e tretë të televizionit publik italian na tha pak të reja, në kuptimin e informacioneve që nuk ishin bërë më herët publike në Shqipëri. Prapëseprapë ka arritur të tronditë jo vetëm opinionin publik në Shqipëri, por edhe qetësinë e Edi Ramës dhe enturazhit të tij. Arsyen kryesore duhet ta kërkojmë në mënyrën se si është strukturuar ligjërimi politik në Shqipëri në 33 vitet e fundit dhe si është ndërtuar legjitimiteti i atyre që na sundojnë. Për shkak të izolimit të mëhershëm, por edhe nevojës për të pasur një pikë të largët dhe hamendësisht të paanshme referimi, në ligjërimin politik shqiptar është ndërtuar një Tjetër i Madh, verdikti i të cilit ndan shapin nga sheqeri në debatet e brendshme politike. Ky Tjetër i Madh mund të jetë një organizatë e shtet perëndimor, si p.sh. Bashkimi Evropian apo SHBA, por edhe figura me autoritet politik e intelektual ose mjete të informimit publik.
Çka e bën tronditës për Ramën dhe të tijtë është se të vërtetën për lidhjet e qeverisë së tij me nëntokën mafioze nuk e thanë kundërshtarët e tij të zakonshëm politikë, por një media evropiano-perëndimore, një nga televizionet me reputacionin më të lartë në Itali e më gjerë. Ai vetë i njeh lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar, me mënyrën si pastrohen paratë në kullat e Tiranës dhe hotelet e bregdetit, si financohen mediat kryesore të Tiranës dhe fushatat e partive të vjetra politike. Edhe ne e dimë. Madje edhe ai (Rama) e di që në e dimë. Prapëseprapë sa kohë loja e dijes si tekst dhe nëntekst zhvillohet brenda gardhit kombëtar, ai mund të pretendojë se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur, duke shpresuar se mohimi i faktit të lakuriqtë do ta bëjë popullin të vërë në dyshim shqisat e veta. Po ja që vjen një moment që mbretit lakuriq, përpara popullit që ka nisur të dyshojë në sytë e vet, i del përpara një fëmijë (RAI 3) që ia prish magjinë duke ia thënë të vërtetën e madhe në sy: shteti që ke ndërtuar është i përshkuar fund e krye nga logjika mafioze, duke nisur nga bashkëpunëtori yt më i ngushtë në Këshillin e Ministrave.
Mbrëmë e sot Rama dhe sejmenët e tij janë orvatur të hedhin dyshime mbi seriozitetin e gazetarëve të RAI 3 dhe t’i konsiderojnë këta të fundit si pazhdaranë të luftës së brendshme për pushtet në Itali. kush e ndjek jetën politike e gazetareske në Itali e di mirë se Reporti i RAI 3 ka reputacionin si emisioni më i mirë investigativ në Itali, i përbërë nga një trupë gazetareske për t’u marrë shembull jo vetëm në Shqipëri, por nga shumë vende të tjera të Evropës. RAI 3, gjithashtu, mbahet ende si televizioni kombëtar më pak komercial i Italisë, ku investigimet serioze dhe mendimi i kultivuar peshojnë më shumë se skupet dhe taktikat e pista për të fituar audiencë. I vetëdijshëm për këto, Rama me shokë po tentojnë dëshpërimisht të përhapin sa më shumë tym, duke e trajtuar RAI 3 si të ishte Syri Tv dhe gazetarët e Reportit si të ishin Çim Peka. Jo, zotëri! Janë vite dritë larg njëri-tjetrit dhe pikërisht kjo është ajo që të bezdis sa më s’ka.
Çfarë na tha emisioni Report? Afërmendsh, pjesa më e rëndësishme e emisionit kishte të bënte me Italinë dhe aspektet jologjike dhe diskriminuese të marrëveshjes Meloni-Rama për refugjatët. Boshti lidhës i emisionit ishte e vërteta e thënë nga një prift italian i angazhuar për të drejtat e refugjatëve: “Soldi buttati al mare” (Para të hedhura në det) për rreth 800 milionë eurot që do të harxhojë shteti italian për menaxhimin e flukseve të refugjatëve në Shqipëri. Për të kuptuar se kush po i bëhet urë qeverisë Meloni për të menaxhuar marrëdhëniet me publikun, më shumë se çështjen e refugjatëve, gazetarët e RAI 3 nisin të përshkruajnë bëmat e gjithëditura dhe elementë të sapodalë në sipërfaqe të qeverisë Rama dhe ndihmësve të tij.
Emisioni i kushton një pjesë deklaratave të biznesmenit Beçhetti, i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe njëkohësisht fitues i një arbitrazhi ndërkombëtar përballë shtetit shqiptar, i cili për pehlivanllëqet e Edi Ramës i detyrohet tashmë atij një shumë prej 135 milionë eurosh. Strategjia e Beçhetti-t, për të cilën deklaron se do të kërkojë ndihmën e autoriteteve gjyqësore italiane, është që paratë që shteti shqiptar nuk po ia jep t’i marrë duke vënë dorë mbi shumën prej rreth 100 milionë eurosh që shteti italian do t’i akordojë Shqipërisë për menaxhimin e refugjatëve. “135 milionë eurot e Italisë janë të miat.” – e mbyll ai, duke harruar se në fakt ato miliona euro janë të popullit shqiptar, i cili për shkak të Edi Ramës mund të privohet nga një numër i konsiderueshëm shkollash dhe shërbimesh publike.
Po nëse pretendimet e Beçhetti-t do t’i zgjidhë gjykata italiane dhe strukturat e arbitrazhit ndërkombëtar, ne, shqiptarëve, na mbetet të jetojmë edhe për pak kohë nën thundrën e një qeverie që i ka zhbërë kufijtë midis institucioneve publike dhe organizatave mafioze. Ish-prokurori i antimafias italiane Francesco Mandoi, njëherësh këshilltar i Edi Ramës për disa kohë pikërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias, theksoi me forcë disa herë se jo vetëm që emërimi i tij si këshilltar ka qenë thjesht propagandistik, pasi nuk është pyetur asnjëherë, por edhe se “mafia shqiptare ka përfaqësues brenda institucioneve dhe është e aftë të ndikojë qeverinë.” Sikur të mos mjaftonin akuzat e Mandoi-t, gazetari i Reportit iu drejtua edhe prokurorit më të rëndësishëm të antimafias italiane – deri dje në krye të prokurorisë së Katanzaros si hetues i Ndragheta-s, sot në krye të prokurorisë së Napolit për të luftuar Camorra-n – Nicola Gratteri. Përveçse me gjasë prokurori më i fortë i antimafias evropiane, Gratteri është edhe një personazh publik me reputacion të lartë, të cilit nuk ia bën syri tërr për t’iu kundërvënë njerëzve të pushtetshëm në Itali kur vjen puna te legjislacioni dhe mjetet për të luftuar siç duhet mafian. Pikërisht Gratteri, i pyetur për mafian shqiptare, përsëriti për të panumërtën herë faktin se mafia shqiptare është tejet e fuqishme (në disa vende e dyta për nga fuqia pas Ndragheta-s) pikërisht sepse niset e fuqishme nga vendi i vet i origjinës për shkak të institucioneve publike të kapura e të korruptuara. Pra mafia shqiptare ka një bazë të fuqishme sepse ka në xhep pushtetin politik, çka i mundëson të operojë e pashqetësuar në Shqipëri, të pastrojë një pjesë të parave në sektorin imobiliar në vend, dhe kësisoj të konkurrojë fort me organizatat kriminale të Evropës e më tej.
Sidoqoftë risia e mirëfilltë e emisionit Report ishte hulumtimi i marrëdhënieve të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe një prej njerëzve më të besuar të Edi Ramës, Engjëll Agaçit, me nëntokën kriminale shqiptare. Sipas Reportit, Agaçi, dikur avokat i anëtarëve të organizatave mafioze shqiptare në Itali, ishte i lidhur me një përfaqësues tejet të dyshimtë të Interpolit italian me punë në Shqipëri për disa vite, Fabrizio Lisi, fondacionin e të cilit e kishte ndihmuar që të hynte në kontakt me një të dyshuar si narkotrafikant në Vlorë, të quajtur Artur Shehu, i cili i paskësh dhuruar fondacionit të Lisit 30.000 metra katrorë plazh në Shqipëri. Artur Shehu, sipas investigimit të Lindita Çelës të botuar në mars të 2021 në OÇPR (Organized Crime and Corruption Reporting Project), dyshohet fort jo vetëm si një prej narkotrafikantëve më të fuqishëm në Shqipëri, por edhe si një njeri i cili përmes mashtrimeve dhe korrupsionit ka arritur të përvetësojë troje në zona me potenciale të mëdha turistike në Vlorë, duke shpronësuar pronarët e vërtetë të atyre trojeve. Sipas Reportit, pikërisht Agaçi ka qenë ndërlidhësi i funksionarit të policisë italiane Lisi me narkotrafikantin shqiptar Shehu. I njëjti Agaç është përfolur disa herë në Shqipëri si strumbullar i skandalit korruptiv të inceneratorëve, për të cilën është thirrur edhe nga SPAK-u. Me sa duket, Agaçi ka funksionin e një Taulant Tushe të kryeministrisë, dikush midis eminencës gri dhe Mon Kukaleshit të punëve të pista të shefit të tij dhe të keqes sonë të quajtur Edi Rama.