Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë” reagoi sërish me anë të një statusi në rrjete sociale lidhur me skandalin e drejtorëve të bashkisë së Tiranës.
Qori theksoi se mesazhi publik i Erion Veliajt ishte një mesazh i mirëkoduar për kryeministrin e vendit, Edi Rama. Veliaj i bëri me dije shefit të tij se duhet ta mbronte në këtë situatë pasi rënia e tij nënkuptonte dhe rënien e të gjithë kastës drejtuese të vendit.
Statusi i Qorit:
Sot Bashkia e Tiranës është jo vetëm institucioni më i korruptuar i shtetit shqiptar, por edhe nyja më e rëndësishme e jetës kriminale, ekonomike dhe politike të vendit. Aty ku bujqësia ka marrë të tatëpjetën, industria tekstile po rrudhet ndjeshëm, ekonomia mbahet vetëm nga nyjetimi i parave të pista, ndërtimit dhe kontratave shtetërore.
Tirana është njëkohësisht baza burokratike e partisë-shtet, si dhe qendra nga ku emetohet propaganda dhe ideologjia sunduese përmes televizioneve, portaleve, opinionistëve, “artistëve” dhe një armate klientësh të vegjël të pushtetit.
Në këto kushte, Erion Veliaj nuk është thjesht një kryebashkiak i korruptuar, po emri pas të cilit lidhet një turli interesash. Në deklaratën e djeshme ai i bëri të ditur Ramës “jemi një!”. Dhe Rama i vajti pas fijes. Jo thjesht prej logjikës “mos më shit që mos të të shes!” Por edhe sepse me rënien e Veliajt tronditen interesat e oligarkëve, mediave dhe kriminelëve që janë tashmë baza e pushtetit: “Po rashë unë, bie Tirana. Po ra Tirana, ramë ne.”
Të njëjtin mesazh u ka dhënë pronarëve të televizioneve, dhe ata me konsekuencë kanë mbyllur shtigjet e diskutimit mbi skandalin e fundit korruptiv. “Artistëve” s’ka pasur nevojë t’u thotë drejtpërdrejt asgjë, se punë të tilla i merr përsipër ndonjë patronazhist i vogël në bashki.
Sot është njëkohësisht çasti vendimtar i goditjes së Veliajt, rrëzimi i të cilit mund të marrë me vete gjithë llumin e interesave antishoqërore mbisunduese.
Sot nuk mund të luftosh Veliajn pa luftuar Ramën.
Nuk mund të luftosh Veliajn pa luftuar njëkohësisht oligarkinë e ndërtimit dhe krimin e organizuar.
Nuk mund të luftosh Veliajn pa denoncuar ujditë e pista e të nëndheshme të partive të vjetra për të ruajtur ekuilibrin e interesave të të fortëve.
Nuk mund të luftosh Veliajn pa luftuar strukturën mediatike dhe robotët me fytyrë njeriu që përhapin gënjeshtra me tre turne.
Sot është dita për të kuptuar mesazhin 2000-vjeçar: E vërteta do të na bëjë të lirë.
Lëvizja BASHKË është me besim në shtegun e të vërtetës dhe të drejtës që rrjedh prej saj.