Kandiati i “Lëvizjes Bashkë” për Bashkinë e Tiranës, Arlind Qori shkroi se Bashkia e Tiranës ka financuar ndërtimin e 14 shkollave të 8 vite dhe jo 40 të tilla, siç pretendon Erion Veliaj.

Sipas Qorit, një pjesë e shkollave po rikonstruktohen nga programi i rindërtimit për tërmetin, ndërkohë që Veliaj i servir si shkolla të reja në Tiranë.

Qori shton se shkollat e ndërtuara nga Bashkia e Tiranës kanë kosto dyfish më lartë se ato të ndërtuara me fondet e Bashkimit Europian.

‘Erion Veliaj ka muaj që mburret se Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 40 shkolla të reja. Mbrëmë në TvKlan nxori fotot e 40 objekteve. Nga analiza e të dhënave që gjenden lehtësisht, por edhe prej fotove dhe maketeve të paraqitura dje, mund të konstatohen thjeshtësisht dhjetë fakte:

Në rastin më të mirë, në Tiranën e këtyre 8 viteve janë ndërtuar vetëm 15 shkolla të reja, një prej të cilave është dhuratë e qeverisë së Çekisë. Kam dyshimet e mia për dy shkolla fshatrash, po për momentin po ia quaj bashkisë.

Me fondet e qeverisë për rindërtimin, në Tiranë janë rindërtuar dhe po rindërtohen 17 shkolla. Pra kanë qenë më parë shkolla, por të shembura nga tërmeti, janë meremetuar ose ribërë.

Nga këto 40 shkolla, me fondet e donatorëve – Bashkimit Evropian, Çekisë, Sllovakisë dhe Katarit – në Tiranë janë ndërtuar, rindërtuar dhe po rindërtohen 9 shkolla.

Nga 40 shkollat e përmendura, 8 prej tyre janë ende në rindërtim e sipër, pra jofunksionale.

Bashkia e Tiranës ka “meritën” e ndërtimit të 14 shkollave për 8 vjet, ose mesatarisht 1.75 shkolla në vit.

Për të ndërtuar këto 14 shkolla, Bashkia i ka ngarkuar qytetarët dhe sipërmarrjet me një taksë për infrastrukturën arsimore, e cila në më pak se 6 vite ka mbledhur 41 milionë euro. Pra kostoja mesatare e një shkolle të re ka qenë 2.928.571 euro.

Për krahasim, shkollat që ndërtohen me fondet e Bashkimit Evropian kanë një kosto mesatare prej 1,190,476 eurosh. (eu4schoolsportal.al)

Shkollat që ndërtohen ose rindërtohen nga Bashkia e Tiranës kanë një kosto për metër katror mjaft më të lartë se shkollat e ndërtuara nga Bashkimi Evropian. Për shembull, shkolla Sami Frashëri, e rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, ka pasur një kosto prej 942.19 euro për metër katror. Kurse një shkollë e ngjashme në sipërfaqe dhe kapacitet, si Emin Duraku, që po rindërtohet me fondet e Bashkimit Evropian, ka një kosto prej 447 euro për metër katror. Pra kushton më pak se gjysma e fondeve që ka harxhuar Bashkia e Tiranës nga taksat e qytetarëve.” – shkroi Qori në fejsbuk.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *