Koreja e Veriut testoi një raketë balistike interkontinentale e cila mund të arrijë deri në territorin e SHBA-ve. Paralajmërimi vjen nga ministri i Mbrojtjes së Japonisë, Yasukazu Hamada, sipas të cilit raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut ka përshkruar një gjatësi prej 15.000 kilometrash, që do të thotë se ajo mund të mbërrijë deri në territorin e SHBA-ve. “Bazuar në përllogaritjet e bëra rreth trajektores që ka përshkuar raketa balistike këtë herë, ajo do të mund të kishte kapacitet udhëtimi prej 15.000 kilometrash, varësisht prej peshës së kokës bërthamore dhe në atë rast kuptohet se do të mund të arrinte në SHBA-të.”- tha Hamada.
Zyrtarët e Koresë së Veriut u zotuan për përgjigje agresive ndaj çdo pranie amerikanë në Gadishullin Korean dhe këto testime vijnë si sfidë e hapur ndaj perëndimit. Presidenti amerikan, Xho Bajden dënoi veprimet e regjimit koreano-verior, ndërsa fqinjët e Koresë së Jugut deklaruan se do të përforcojnë masat mbrojtëse ndaj rrezikut të shtuar nga veprimet e Pen Janit komunist.