Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Shoqatës së Gjyqtarëve pas deklaratave të kësaj të fundit që e akuzuan për “presion” ndaj gjyqësorit.

Në një postim në X, Rama theksoi se Shoqata e Gjyqtarëve mund të ketë reaguar për dy arsye: ose nuk e kuptojnë kuptimin e fjalës “presion”, ose e dinë, por ankesa e tyre ndaj tij nuk ka ndonjë efekt. Gjatë postimit, kryeministri përmendi edhe kërkesën e shoqatës për rritjen e pagave të gjyqtarëve me 1,600 euro.

Rama shtoi se nuk ka për të heshtur për një çështje në të cilën është vetë palë në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se funksioni i tij është goditur nga një prokuror dhe një gjykatës dhe rrezikon të dëmtohet.

Postimi i plotë i kryeministrit:

“Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për ‘presionin’ tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu: Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta…

Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen.

Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

Heshtja ime herën e parë, përpara se të merrej ai vendim i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit një rritje të re prej plot 1,600 eurosh – plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Ndërkohë, unë dhe qeveria mirëpresim çdo komunikim institucional me shoqatën, për të adresuar nevojat dhe sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i pavarësisë së gjyqësorit duhet mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme dhe nga papërgjegjshmëria e brendshme e gjyqtarëve, që dëmton besimin e popullit tek drejtësia.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *