Kryeministri Edi Rama deklaroi se këtë muaj do të nisë regjistrimi i popullsisë dhe i banesave në vendin tonë. Sipas tij, ekspertët do të jenë në terren për 6 javë, ndërsa shifrat përfundimtare të regjistrimit do të përputhen me realitetin.
“Janë pjekur kushtet sepse kemi dy faktorë, një garanci e rëndësishme, partnerët, kemi francezë, zviceranë, gjermanë, të gjithë të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë dhe eksperiencën për të qenë të saktë në numërim dhe patjetër me mbështetjen e BE-së me një fond të konsiderueshëm 55% nga qeveria shqiptare, pjesa tjetër nga këta partnerë. Teknologjia e lartë e cila na jep një ndihmë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitet, si mjet që garanton shifrat në kohë reale, INSTAT ka një eksperiencë të padyshimtë dhe një vijueshmëri profesionale, një nga institucionet e pakta në këtë vend që kur thua është i depolitizuar askush nuk ngre dorën për të bërtitur jo nuk është e vërtetë. Është një punë e përgatitur prej 4 vitesh, ekipet kanë zonat referuese me mjetet që duhet të kenë nën dispozicionin, do të bëjnë regjistrimin në kohë reale. Ata do të jenë në terren për 6 javë me tabletat për regjistrimin. Është një ushtrim i vështirë se duhet trokitur derë më derë, të dhënat janë një nevojë absolute për shumë arsye, pikë së pari për të identifikuar realisht konkretisht sa shqiptarë të këtij vendi jetojnë në këtë vend sot, po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme.” – u shpreh Rama.