Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku foli për masat që Prokuroria e Posaçme ndërmori në institucionin që ai drejton.
I pranishëm në takim ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili adresoi sërish kritika ndaj SPAK-ut.
Rama tha se rektorit Sallaku i ishte sekuestruar telefoni prej dy vitesh, edhe pse nuk ishte person nën hetim.

“Dy vjet ka ai që e ka lënë telefonin në SPAK, nuk është fare person nën hetim. E dëgjuat që i kanë dhënë dhe letrën që vazhdo, mund të kandidosh edhe për rektor. Në fund mund të jetë dhe ai që të dalë fajtor, unë nuk e di fare, por ne në këtë republikë nuk mund të nisemi nga ideja se çdo person është i fajshëm dhe do t’i duhet të provojë pafajësinë e vet. Evropa, ku ne duam dhe do të integrohemi, ka një parim tjetër: çdo person është i pafajshëm dhe i takon autoriteteve të provojnë fajësinë e tij. Kështu që, me shumë keqardhje për zotin Afrim, dua t’i them që kjo parti nuk merr rolin e gjykatës, nuk ka për ta marrë kurrë; nuk merr rolin e prokurorisë, nuk ka për ta marrë kurrë; dhe, përkundrazi, sa të jetë kjo parti këtu dhe sa të jetë kjo shumicë qeverisëse, prokurorët mund të vazhdojnë të pavarur të bëjnë punën e tyre. Por ne nuk mund të jemi shurdh-memecë. I kemi vënë në dispozicion trupin tonë sallës, organizmin e PS, sallës së operacioneve kundër korrupsionit. Të vazhdojnë, nuk ka asnjë problem”, tha Rama.