Kryeministri Edi Rama foli gjatë një takimi elektoral në Vlorë për kontratën që Sali Berisha nënshkroi në Shtetet e Bashkuara për të hequr non-gratën e tij.
Rama u shpreh se shuma e paguar është 6 milionë euro, duke e cilësuar shumë të madhe dhe pagesën të çuditshme.
“Unë besoj që të gjitha ju që jeni këtu sot, ashtu si të gjithë të tjerët që e ndjekin këtë ballafaqim, jeni sot të habitur nga fakti që janë paguar 6 milionë euro. Thuhet nga patriotë; ju kujtohet se edhe herën e kaluar Luli, për 500 mijë, u bë leckë dhe tha se u mblodhën disa patriotë. 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi ‘non grata’ janë shumë për të mos bërë pyetjen se ku i gjetën gjithë ato para dhe si mundet që, thjesht dhe vetëm për hallin e një njeriu, të paguhen më shumë para sesa shteti i jep për të gjitha partitë politike të marra së bashku.
Është edhe pak e çuditshme, sepse na thanë se sa të vinte Trump, do ikte non-grata. Tani na qenkan dashur edhe 6 milionë euro me shpresë se do të hiqet non-grata. Dhe, sikur të rrijë dhe sikur të iki, kjo nuk është çështja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që janë sot në një moment historik,” – tha Rama.
Partia Demokratike publikoi një kontratë lobimi me kompaninë “Continental”, e cila drejtohet nga avokati i presidentit amerikan Carlos Trujillo dhe në të cilën punon vajza e shefes së kabinetit të Trump, Susie Wiles.