Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama shprehet se kërkesa për arrestim vjen ende pa u tharë boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, arrestimet pa gjyq, qoftë me burg apo arrest shtëpie, janë shndërruar në një fenomen të përhapur në Shqipëri. Kryeministri thekson se vendi ka më shumë të paraburgosur sesa të dënuar, një situatë që, sipas tij, bie ndesh me standardet demokratike europiane dhe ka shqetësuar edhe Këshillin e Europës.
Rama nënvizon se mazhoranca nuk do të paragjykojë kërkesën e prokurorit të posaçëm, por duke qenë se kësaj here Kuvendit i kërkohet të shprehet me opinion, ai garanton se Partia Socialiste do të mbajë një qëndrim të përgjegjshëm dhe të qartë përpara qytetarëve.
“Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren, me burg ose në shtëpi. Arrestet pa gjyq janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, duke e kthyer vendin në një rast shqetësues edhe për Këshillin e Europës”, shkruan Rama.
Ai shton se, ndryshe nga rastet e tjera ku mazhoranca nuk komenton përmbajtjen e çështjeve në drejtësi, këtë herë do të angazhohet maksimalisht për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të denjë dhe në përputhje me përgjegjësinë që i kanë dhënë qytetarët me 83 mandate, si forcë udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.

