Kryeministri Edi Rama ka lëshuar sinjale të forta kundrejt Prokurorisë së Posaçme (SPAK) gjatë konferencës së fundit për shtyp të këtij viti, ku jo vetëm që kritikoi qasjen e organit të akuzës, por paralajmëroi edhe ndryshime ligjore në sistemin e drejtësisë.
Në përgjigje të interesimit të mediave, Rama la të kuptohej se miratimi i kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nuk do të jetë i lehtë. Njëkohësisht, ai doli në mbrojtje edhe të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet aktualisht në masën “arrest shtëpie”.
Teksa trajtoi të dyja çështjet, kreu i qeverisë kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, po vepron SPAK, veçanërisht në përdorimin e akuzës së “shpërdorimit të detyrës” dhe vendosjen e masave ekstreme të sigurisë. Rama theksoi se shqetësime për këto praktika janë ngritur edhe nga Komisioni Europian.
Ndërkohë që konferenca e Ramës vijonte, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë reagoi me një mesazh publik, duke shprehur mbështetje dhe vlerësim për SPAK-un. Në njoftim u theksua se arritjet e Prokurorisë Speciale forcojnë bashkëpunimin mes SHBA-ve dhe institucioneve shqiptare të drejtësisë, duke kontribuar në një të ardhme më të sigurt për vendin.
Kritika për procedurat dhe Parlamentin
Rama kritikoi edhe mënyrën se si janë paraqitur materialet hetimore, duke deklaruar se Këshilli i Mandateve nuk është “zyrë noterie”, por një organ me përgjegjësi gjykuese. Sipas tij, dosja me 16 mijë faqe nuk përfaqëson hetim të mirëfilltë, por materiale arkivore dhe dokumente të mbledhura nga institucionet shtetërore.
Në lidhje me çështjen e AKSHI-t, kryeministri theksoi se ka njohje personale dhe respekt profesional për Mirlinda Karçanajn, duke shtuar se nxjerrja e copëzave nga dosjet hetimore në publik nuk mjafton për të fajësuar individë.

