Duke folur nga Prishtina, kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk ka plane konkrete për mbledhje të afërt mes dy qeverive shqiptare.
Rama theksoi se interesat dhe ndasitë politike nuk mund të ndikojnë mbi interesin e përbashkët kombëtar. Rama foli dhe për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Sipas tij vijon puna për përcaktimin e opsioneve më të mira për këtë vepër me rëndësi strategjike për shqiptarët.
“Ne punojmë bashkë, dhe hekurudha Durrës-Prishtinë, i është nënshtruar një analize. Do të duhet të presim studimin e fizibilitetit, dhe më pas procesin e financimit dhe me radhë. Nuk janë vepra që thuhen sot dhe bëhen sot. Ne kemi bërë disa përçapje për ta hapur. Do t’i diskutojmë me qeverinë e Kosovës të gjitha këto. “Shqipëria 2030” të jetë një vend ku kantieri i hekurudhës Durrës-Prishtinë të jetë kantier i hapur. Pastaj varet nga shumë gjëra përfundimi i një vepre. Është futur në një rrugë, nuk është më një premtim apo dëshirë, por projekt i përbashkët i dy qeverive që do të marrë jetë.” – tha Rama.