Pas pesë javësh mungese në parlament, kryeministri Edi Rama u paraqit sot në interpelancën e kërkuar nga opozita për rastin McGonigal. Rama qëndroi vetëm 45 minuta në sallë. Ai mohoi akuzat e përfshirjes së tij në rastin McGonigal duke u shprehur se nën hetim është vetëm ish-zyrtari i lartë i FBI-së.
Ajo çka tërhoqi vëmendjen ishte deklelarata e Ramës së Departamenti i Shtetit në SHBA po përgatitet të publikojë një tjetër shpallje non-grata për një politikan të njohur në Shqipëri. Rama theksoi se byrektorja – siç opozita e konsideronte DASH-in – pritet të nxjerrë sërish byrekun e radhës.
“Deri atëherë, kujdes se byrektorja vijon punën, gjiza ka arritur dhe okllaia po ushtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur. Personin në fjalë do e shihni vetë.” – tha Rama dhe menjëherë pas kësaj fjalie u largua nga salla e parlamentit.