Kryeministri, Edi Rama nuk u paraqit në interpelancën urgjente të kërkuar nga opozita në parlament rreth çështjes së Charles McGonigal.
Kreu i Ekzekutivit kishte deleguar ministren e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali si përfqësuesen e tij në këtë interpelancë.
“Do të vijojmë me interpelancë urgjente me kryeministrin me një grup deputetesh të opozitës. Kryeministri ka deleguar ministren Elisa Spiropalin për këtë interpelancë.” – u shpreh kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në hapjen të seancës.
Ka mjaftuar kjo deklaratë e Nikollës që opozita të drejtohet në grup drejt foltores duke mos lejuar vijimin e seancës pa praninë e kryeministrit në sallën e parlamentit.
Deputetët e opozitës ripërsëritën akuzat ndaj Ramës për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së tashmë nën hetim duke theksuar se kryeministri ka lobuar dhe paguar për asgjësimin e opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
Përfaqësuesit e mazhorancës dënuan sjelljen e opozitës në parlament duke deklaruar se po cënohet liria e fjalës dhe procedurat e rregullta parlamentare.
Kryeministri, Edi Rama reagoi në rrjetet sociale duke akuzuar opozitën për vetëgjyqësi në parlament, ndërkohë që mohoi akuzat se është përpjekur të korruptojë Charles McGonigal-in.
Ai shtoi se nuk ka asnjë akuzë ndaj tij për një aferë të mundshme në rastin konkret dhe se rasti është çështje e brendshme e drejtësisë dhe shtetit amerikan.