Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026. Ai siguroi se sektori i bujqësisë do të përfitojë më shumë fonde nga Bashkimi Europian dhe se buxheti i shtetit për këtë sektor mund të arrijë deri në 1 miliard euro, sipas nevojës.

Rama u ndal tek rëndësia e informacionit dhe përgatitjes për të shfrytëzuar financimet: “Çështja e financimit të projekteve nuk është problem, sepse paratë janë. Problemi është mungesa e informacionit dhe përgatitjes për t’i thithur ato fonde. Fonde nga BE do të kemi më shumë, por duhet të jemi të aftë që t’i përdorim.”

Ai shtoi se qeveria ka vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milion euro, të cilat mund të arrijnë deri në 1 miliard euro nëse shfrytëzohen plotësisht. Fermerët mund të marrin gjithashtu kredi me garanci shtetërore dhe norma të ulëta interesi.

Një mesazh i veçantë Rama pati për kryetarët e bashkive: ata duhet të jenë më aktivë dhe të bashkëpunojnë me fermerët për të adresuar këto financime, duke krijuar struktura të përbashkëta për projekte agro-përpunimi, stallë, mekanikë apo investime të tjera bujqësore.

“Duhet të mos ketë asnjë pengesë për të marrë financimet që ju nevojiten”, përfundoi kryeministri.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *