Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë e vlerësoi Salën si një figurë që do të hapë “një epokë të re” në shëndetësinë shqiptare.

Rama nënvizoi se në mandatin e tretë qeveria ka realizuar rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve, ndërsa për mandatin e katërt synimi është të shkohet më tej, duke përqendruar vëmendjen tek përmbajtja e shërbimeve që i ofrohen qytetarëve.

Një prej projekteve kryesore ishte hapja e një universiteti mjekësor në Fier, pranë Spitalit Memorial, si dhe ngritja e një spitali ekselence që do të shërbejë si qendër për turizmin shëndetësor.

“Kemi nisur diskutimet për të lidhur një partneritet strategjik me një prej kompanive më të mira britanike në fushën e inteligjencës artificiale në shëndetësi, e vetmja që ka arritur statusin unicorn në Mbretërinë e Bashkuar. Këto do të jenë sfidat kryesore të ministres së re,” theksoi Rama.

Sipas kryeministrit, këto nisma do të përbëjnë bazën e transformimit të ardhshëm të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *