Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësim për atë që e cilësoi si “brutalitet gjyqësor”, duke deklaruar se Partia Socialiste ka nisur analiza mbi shenja të rënda problematike në sjelljen e sistemit të drejtësisë.
Gjatë podcastit të tij të përjavshëm, Rama u ndal veçanërisht te përpjekjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rritje pagash, të cilat i përshkroi si tentativa për të rënduar arkën e shtetit. Ai paralajmëroi se veprime të tilla janë shqetësuese dhe po analizohen me kujdes nga socialistët.
Sipas tij, magjistratët po veprojnë njëkohësisht si vendimmarrës dhe përfitues, duke krijuar një situatë të papranueshme. Rama përmendi gjithashtu një raport që flet për përdorimin e tepruar të paraburgimit në Shqipëri, i cili, sipas tij, e rendit vendin në fund të listës për këtë praktikë.
“Kemi nisur analiza për shenja shqetësuese të brutalitetit gjyqësor. Tentativa e magjistratëve, gjyqtarë e prokurorë bashkë, për të rritur pagat duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Aliu dhe vetë Kadiu. Kam lexuar edhe një raport mbi përdorimin brutal të paraburgimit në Shqipëri, që e ka vendosur vendin tonë në pozicionin më të keq”, u shpreh Rama.

