Nga Arbër Zaimi

Shpesh kasta e analistëve lënë të kuptohet sikur vetëm drejtuesit e perceptuar si të korruptuar bëjnë deklarata mbi “tabu” gjeopolitike, si puna e asaj të Ramës me Kinën, dhe këtë e bëjnë thjesht për të zhvendosur vëmendjen sipas leverdisë.

Por në po të njëjtën ditë edhe një drejtuese e perceptuar si e pakorruptuar, Maia Sandu e Moldavisë bëri një deklaratë që tërhoqi vëmendje. Ajo tha se vendi i saj është i vogël për të përballuar turbullirat globale dhe kërcënimet e rreziqet prej fqinjëve të mëdhenj e agresivë, prandaj nëse do të mund të bëhet referendum, ajo do të votonte për bashkim me Rumaninë. Këtë gjë ajo e ka thënë dhe më parë, por kësaj radhe diçka ka ndryshuar, e figura politike ndër të cilat dhe një ish-president bënë thirrje për shkarkim të saj nga Gjykata Kushtetuese. Gazetarë moralizues gjermanë ironizuan se si është e mundur një udhëheqëse të dëshirojë fundin e shtetit të saj, por ironia e vërtetë këtu është që këtë dert e qajnë gjermanët, që për vete kanë lindur në shtet tjetër nga ky i bashkuari që kanë sot.

Maia Sandu thotë diçka që argumentohet bindshëm, por duke qenë se nuk po shoqërohet kjo deklaratë me një ndonjë lëvizje konkrete politike që përgatit kuadrin institucional dhe edukon masat në atë drejtim, ajo i përngjan deklaratave populiste, të bëra për të galvanizuar mbështetjen elektorale, ose për të tërhequr vëmendjen. Meqë Sandu i ka fituar vitin e kaluar zgjedhjet përballë një rreziku jo të vogël rus, më shumë ka gjasë të jetë kjo e dyta.

Sandu, ashtu si Rama, me deklaratat e veta përpiqet të çojë mesazhe në perëndim.

Një Europë e cila nuk vepron shpejt për caktimin e kufijve të saj është një Europë që nuk premton dot stabilitet dhe vendet do shohin rrugë të tjera për t’u mbrojtur nga kërcënimet – ky është mesazhi i Sandu-së. Një Europë që nuk sjell investime në vendet që pretendon t’i ketë të vetat, është një Europë që ia lë hapësirën kapitaleve nga vende të tjera, të cilat mund të vijnë edhe të maskuara si kapital amerikan, ky është mesazhi i Ramës.

Kësi mesazhesh janë dërguar edhe më parë e ende dërgohen, nga çdo lider i korruptuar apo i pakorruptuar që shpreson në seriozitetin potencial të Brukselit. Por sot ka mundësi që mesazhet e tilla të jenë “letër në shishe”, për një Bruksel të vërshuar që nuk di se ç’mesazh të lexojë më parë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *