Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi pas përgjigjes që kreu i SPAk-ut, Altin Dumani u ktheu familjarëve të viktimave të 21 janarit ku thuhet se Prokuroria e Posaçme nuk mund të marrë në shqyrtim një çështje që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se kjo është shtirje e SPAK-ut sikur nuk mund të hetojë këtë rast dhe se provat e audio-përgjimit të gazetarit, Artan Hoxha provojnë se zinxhiri komandues i Gardës së Republikës është urdhëruar të hapë zjarr ndaj turmës. Rama akuzoi drejtpërdrejt kreun e SPAk-ut, Altin Dumani duke nënvizuar se ndihet i zhgënjyer nga reforma në drejtësi.
“Bëri sikur s’kishte asnjë lidhje me të, pavarësisht se një prej motiveve më të forta të mbështetjes masive popullore të reformës në drejtësi (prej ku lindi edhe vetë SPAK-u si mishërim i një shprese të madhe) ishte pikërisht nevoja kombëtare për drejtësi për 21 janarin.” – shkruan Rama.
Sakaq, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, në përgjigje të letrës së familjarëve të viktimave të 21 janarit, thekson ndër të tjera se hetimet e deritanishme për ngjarjen nga ana e Prokurorisë së Tiranës nuk referojnë elemente shtesë për marrjen në shqyrtim të çështjes nga institucioni i Prokurorisë së Posaçme.
“Nëse në vijim të verifikimeve apo hetimeve, do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, atëherë aktet e procedimit penal të dërgohen për kompetencë lëndore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale.”- thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Altin Dumanit.
12 vjet pas ngjarjeve të 21 janarit, gazetari Artan Hoxha publikoi një audio-përgjim ku pretendohet se drejtuesit e Gardës së Republikës, fillimisht marrin urdhër për të hapur zjarr mbi tumën nëse kalohet perimetri i sigurisë të godinës së kryeministrisë dhe më pas e përcjellin atë te vartësit.
Artan Hoxha ka deklaruar se audio-përgjimin do e dorëzojë vetëm në SPAK dhe askund tjetër duke shfaqur mosbesim në hetimin që po kryen Prokuroria e Tiranës.
Opozita e sotme, asokohe në pushtet, akuzoi drejtuesit e Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën se tentuan organizimin e një grushti shteti që synonte marrjen e pushtetit me dhunë, ndërkohë që socialistët akuzojnë ish-kryeministrin, Sali Berisha si urdhërues të vrasjeve të 21 janarit.
Dy të dënuarit e vetëm për ngjarjet e 21 janarit janë ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi i cii u dënua me një vit burg dhe ish-gardisti, Agim Llupo që u dënua me tre vite burg.