Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi po shënon një rritje historike të të ardhurave buxhetore.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama tha se, sipas projeksioneve aktuale, gjatë kësaj periudhe pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit.

“Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare,” u shpreh ai.

Sipas Ramës, kjo rritje nuk lidhet me rritjen e taksave, por me zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e administrimit tatimor dhe doganor.

Ai theksoi se administrimi më efikas, ulja e korrupsionit dhe abuzimeve, si dhe kontrolli më i mirë i transaksioneve dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë performancë.

Kryeministri e cilësoi këtë moment si një tregues të besimit të qytetarëve dhe mbështetjes ndaj politikave qeveritare, duke e konsideruar rritjen e të ardhurave si një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *