Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një paketë të re tarifash prej 10% për importet nga të gjitha vendet, që hyri në fuqi më 24 shkurt. Sipas raportit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Kosova renditet ndër vendet më të goditura nga këto tarifa në rajon.
Raporti tregon se mesatarisht tarifat e importit për vendet e rajonit janë rritur me 0.3 pikë përqindjeje, ndërsa 29 shtete po përballen me tarifa më të larta. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në Armeni, Egjipt, Kenia, Kosovë dhe Ukrainë, ku ndryshimet lëvizin nga +3.7 deri në +4.8 pikë përqindjeje.
Ndërkaq, disa vende të tjera të rajonit, si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Moldavia dhe Tunizia, konsiderohen relativisht të përfitueshme nga ndryshimet e fundit, pasi tarifat ndaj tyre kanë pësuar rritje shumë më të vogël ose kanë mbetur thuajse në të njëjtin nivel.

