Nga Sebastian Zonja
Media amerikane The Washington Post solli këtë të shtunë një artikull të gjatë dhe shumë interesant, i cili tregon se si shtetet arabe zgjeruan bashkëpunimin ushtarak me Izraelin ndërsa lufta në Gaza vijonte. Në të njëjtën kohë, gabimi fatal i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, që goditi me raketa Katarin, thuajse hodhi në erë gjithë planin amerikan për rajonin.
Sipas dokumenteve të inteligjencës amerikane, kërcënimi kryesor për këto vende është Irani; ndaj, në aspektin e sigurisë, ato kishin rritur bashkëpunimin me ushtrinë izraelite. Komanda Qendrore e SHBA-së ka lehtësuar takimet dhe trajnimet mes Arabisë Saudite, Bahreinit, Izraelit, Egjiptit, Jordanisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas medias amerikane, Katari – kryeqyteti i të cilit u godit më 9 shtator nga raketat izraelite – ishte një nga vendet që kishte forcuar më së shumti lidhjet me ushtrinë izraelite. Në maj të vitit 2024, tregojnë dokumentet, zyrtarë të lartë ushtarakë izraelitë dhe arabë u mblodhën në Bazën Ajrore “Al-Udeid”, një strukturë e madhe ushtarake amerikane në Katar. Dokumentet tregojnë se Irani ishte arsyeja pse po forcohej ky bashkëpunim.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane, e njohur si Centcom, kishte përgatitur planet e trajnimit për aleatët nën planin e emërtuar “Ndërtimi i Sigurisë Rajonale”, që përfshin Izraelin, Katarin, Bahreinin, Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Dokumentet i referohen Kuvajtit dhe Omanit si “partnerë potencialë”, të cilët janë informuar për të gjitha takimet. Materialet u janë shpërndarë edhe partnerëve të tjerë të grupit “Pesë Sytë”, ku përfshihen Australia, Kanadaja, Zelanda e Re, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas gazetarëve që kanë parë dokumentet, në janar të vitit 2025, në Kentaki, forcat amerikane trajnuan partnerët se si të zbulonin dhe neutralizonin kërcënimet që paraqiten nga tunelet nëntokësore – një mjet kyç i përdorur nga Hamasi kundër ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Për të respektuar ndjeshmërinë politike, dokumentet theksojnë se partneriteti “nuk formon një aleancë të re”, se të gjitha takimet do të “mbahen në konfidencialitet” dhe se asnjë foto nga to nuk duhet të dalë në publik.
Sipas analistëve të rajonit, Marrëveshjet e Abrahamit janë në qendër të këtyre përpjekjeve. Pentagoni ka ndërtuar një portë aksesi për këto vende, që t’u mundësojë pamje të pjesshme ajrore të rajonit në kohë reale, ndërsa është krijuar një sistem i sigurt komunikimi i drejtuar nga SHBA-ja.
Ajo që e inatosi pa masë Shtëpinë e Bardhë ishte veprimi i Netanjahut për të goditur Katarin. Sistemi i mbrojtjes ajrore nuk reagoi, pasi ishte përqendruar tek Irani, tha një gjeneral amerikan. Partneri kryesor amerikan në rajon, Arabia Saudite, sipas gazetarit, luajti rol aktiv në këtë bashkëpunim, duke ndarë informacione të inteligjencës me Izraelin dhe partnerët arabë mbi një gamë të gjerë çështjesh sigurie.
Gjatë një takimi, një zyrtar saudit dhe një zyrtar i inteligjencës amerikane u dhanë partnerëve një “përmbledhje të informacioneve të inteligjencës” mbi zhvillimet politike në Siri, duke përfshirë rolin e luajtur nga Rusia, Turqia dhe forcat kurde në vend. Informimi mbuloi gjithashtu kërcënimet e paraqitura nga grupi militant Huthi, i mbështetur nga Irani, në Jemen, si dhe operacionet e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.
“Të gjithë duket se mendojnë se izraelitët mund të bëjnë çfarë të duan, kur të duan, pa u zbuluar, por kjo nuk është e vërtetë,” tha një ish-zyrtar i lartë amerikan në kushte anonimiteti.